“Mile Çami vrau inxhinierin Halo”
FIER/ MAJLINDA RAMA
“Fatmir Emini organizoi vrasjen e inxhinierit Gjergji Halo në vitin 2000, për motive pronësie”. Policia e Fierit konfirmoi dje përfundimin e hetimit mbi një ngjarje të rëndë, që tronditi qytetin 8 vjet më parë. Sipas saj, është arritur të dokumentohet se i njohuri si “Mile Çami” ka vepruar për ekzekutimin e Halos. Ai ndodhet tashmë në burg, me akuzën e vrasjes, ku pritet të njihet dhe me konkluzionin e fundit për krimet e tij. “Në kuadrin e operacionit të koduar ‘Gjanica 2008’ është arritur të zbardhet krimi i ndodhur në vitin 2000, në lagjen “29 Nëntori” në qytetin e Fierit”, pohohet nga burimet zyrtare të policisë. Viktima ishte Gjergji Halo, 47 vjeç, me profesion inxhinier ndërtimi, pronar i firmës së ndërtimit “Shpresa” shpk Fier. Ndonëse në atë kohë u regjistrua procedimi penal për veprat penale të vrasjes me paramendim në bashkëpunim dhe prodhim e armëmbajtje pa leje, nuk u arrit në identifikimin e autorëve. Për këtë ngjarje Prokuroria e Rrethit të Fierit, më 25 janar të vitit 2001 vendosi pezullimin e hetimeve për mungesë provash. Dosja hetimore iu kthye përsëri Drejtorisë të Policisë së Qarkut Fier për zbulimin dhe dokumentimin e saj ligjor. Ky procedim penal u përcaktua, sipas policisë, si një nga prioritetet e punës për ngjarjet e mbartura në vitet e kaluara. Pikërisht për të hedhur dritë mbi këtë vepër të rëndë penale u ringrit një grup pune me specialistët më të mirë të Drejtorisë së Policisë, e cila në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Fier analizoi materialet, që ndodheshin në dosjen hetimore dhe operative. Kështu, në datën 26 mars 2008 rifilloi procedimi penal. Duke përdorur të gjitha metodat e hetimit special dhe procedural, policia e Fierit dhe Prokuroria administruan të gjitha provat ligjore nga ku rezultoi se shtetasi Fatmir Emini ka organizuar vrasjen e Gjergji Halos, duke nxitur për kryerjen e saj shtetasin Bledar Yzeiri. Kjo vrasje, sipas policisë është bërë për motive pronësie, për shkak të një trualli për ndërtim. Me vendim numër 619 të lëshuar më datë 24 dhjetor 2008, Gjykata e Fierit, mbi bazën e materialeve të relatuara nga Prokuroria e Rrethit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të “vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake” për shtetasit Fatmir Dalip Emini, 52 vjeç, i dënuar tashmë me 22 vite burg për vrasjen e Bujar Sulës, në vitin 1997, ngjarje e ndodhur në qytetin e Lushnjës. Sipas policisë, Gjykata e Fierit, me vendim të datës 5 qershor 2008 lëshoi ndaj Eminit një tjetër masë sigurie të arrestit me burg, për veprën penale të “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim” të shtetases Xhevrie Caka, nënës së Lul Cakës, ngjarje e ndodhur në vitit 1999. Sipas policisë së Qarkut Fier, aktualisht ky person është duke vuajtur dënimin për vrasjen e shtetasit Bujar Sula. Po sipas të njëjtave burime gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për shtetasin Bledar Nezir Yzeiri, 30 vjeç, lindur në Kutalli të Beratit dhe banues në Fier, i akuzuar për vrasjen e Gjergji Halos. Po ky shtetas akuzohet për dy vrasje të tjera: të Xhevrije Cakës dhe të Neki Çalës, për të cilat është dënuar 17 vjet burg. Tashmë ndodhet i arrestuar në Belgjikë, në pritje të ekstradimit.
“Trafiqet vranë Erion Shukën”
BERAT- Implikimi në trafiqe të ndryshme në Greqi i mori jetën 30 -vjeçarit Erion Shuka. Burime të policisë bënë të ditur se dyshimi në një pistë të tillë vjen pas hetimeve të kryera deri më tani nga ekspertët e Policisë Kriminale. I riu nga lagjja “Guri i Bardhë” në Urën Vajgurore u gjet disa javë më parë i masakruar me mjete të forta dhe i qëlluar me një plumb në zemër në fshatin Moravë të Beratit. “Dyshohet se viktima gjatë periudhës 4-vjeçare si emigrant në Greqi ishte implikuar në trafik droge dhe prostitucioni. Kur ai e ka parë që i kishte keq punët në shtetin helen, është nisur drejt Shqipërisë pa i thënë askujt asgjë”, bënë të ditur burime të policisë. Mësohet se rrethi i hetimit është ngushtuar mjaft, aq sa bëhet e ditur se janë identifikuar edhe emrat e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë. Policia nuk bën të ditur emra për efekt të hetimeve, por sipas burimeve, vrasësit janë nga Berati. Dyshohet se autorët pas ekzekutimit janë larguar, por policia bëri të ditur se janë duke hetuar dhe së shpejti pritet të realizohen arrestimet e tyre. d.xh