Analiza e BSH: Ekonomia shqiptare ka nevojë të menjëhershme për kreditim
Ervin KOÇI
Ekonomia shqiptare e gjendur përballë një krize që ka nisur prej dy vitesh, reflekton nevojën e menjëhershme të kreditimit nga sektori bankar. Apelet e shpeshta të Bankës së Shqipërisë ndaj bankave të nivelit të dytë për të rifilluar kreditimin e ekonomisë nuk kanë mjaftuar për të çliruar kredinë nga ngërçi. Të dhënat e fundit zyrtare të BSH-së dëshmojnë se kredia për ekonominë mbetet e shtrënguar. Rritja është minimale, disa herë më e ulët se sa mesatarja e 5 viteve të fundit. Sipas BSH-së në fund të shkurtit, kredia totale për ekonominë ishte 8 për qind më shumë se sa shkurti i vitit 2009, por periudhën shkurt 2008- shkurt 2009, rritja ka qenë 33 për qind. Politika shtrënguese e bankave ka prekur më shumë individët. Në fund të shkurtit, kredia për individët ishte në total, 139 miliardë lekë, vetëm 1.4 për qind më shumë se sa shkurti i 2009-ës. Një vit më parë norma e rritjes ka qenë 25 për qind. Të dhënat e detajuara të BSH-së tregojnë se në ngërç është kryesisht kredia për ndërtimin, e cila këtë vit është 6 herë më pak se sa një vit më parë. BSH-ja thotë zyrtarisht se situata e likuiditetit në bankat private është e mirë, sidomos tani kur depozitat kanë rifilluar të rriten. Ndaj duket se ngërçi i kredisë tashmë nuk ka të bëjë më me mungesën e parasë në banka, por më shumë i atribuohet politikës së kujdesshme të bankave private, për të evituar përkeqësimin e treguesit të kredive të pashlyera, i cili në dy vjet është trefishuar.
Kreditë e shtrenjta
Kredia në euro për blerje shtëpie në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit është mesatarisht më shumë se 100 euro për këst mujor, më e shtrenjtë. Për të konkretizuar atë që raporti i Bankës Botërore e shprehte në ndryshime të spredit të kredive me rreth 3 pikë përqindje më shumë, ne morëm si shembull kredinë që ofrojnë në vendet e rajonit disa prej bankave të mëdha që operojnë në Shqipëri. Ju referuam burimeve zyrtare të këtyre bankave që kanë filiale edhe në vendet e tjera të BE-së që operojnë në shumicën e vendeve të rajonit, nga ku rezultoi se për një kredi 100 mijë euro me afat kthimi 20 vjet në Shqipëri paguhet më shtrenjtë. Për këtë kredi në vendin tonë konsumatori paguan një këst mujor prej 950 euro. Për të njëjtën kredi në Serbi kësti mujor është 805 euro. Kjo shifër është e barabartë edhe me këstin që duhet paguar për këto banka në Kroaci dhe në të dy rastet çmimi është 145 euro në muaj më pak. Shifra ndryshon për Bosnjën ku kësti mujor është 873 euro ose 77 euro më pak se në Shqipëri. Bazuar në shifrat e mësipërme rezulton që e njëjta bankë në Shqipëri për 100 mijë euro kredi merr 228 mijë euro ndërsa në Serbi e Kroaci merr 193 mijë euro ose 35 mijë euro më shumë. Diferenca Shqipëri- Bosnjë është 21 mijë euro më shumë.
Marzhi i fitimit
Kompanitë dhe familjet europiane, që nga fillimi i vitit 2009, përfituan nga interesat shumë të ulëta për euron, që përcaktohen nga Banka Qendrore Europiane, por në rastin e Shqipërisë, ato që përfituan duket se ishin bankat dhe jo kredimarrësit. Kjo gjë bëhet e ditur nga Banka e Shqipërisë në raportin e saj vjetor. “Përgjithësisht, kredidhënia në monedhën europiane devijoi nga zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare, duke zgjeruar marzhet me euriborin dhe koston e fondeve. Norma mesatare e ponderuar e interesit për kredinë në euro qe 7.89 për qind në vitin 2009 në krahasim me 8.19 për qind që ishte në 2008-n. Ndërkohë, norma e euriborit në tregjet ndërkombëtare është ulur me 3.13 për qind”,- thotë BSH-ë në raportin e vet. Euribori është norma e interesit me të cilin bankat ndërkombëtare i japin kredi njëra-tjetrës. Euribori shërben si kosto oportune për bankat, të cilat në këtë treg mund të sigurojnë të gjitha fondet që dëshirojnë. Për këtë arsye, luhatja e euriborit ndikon edhe në interesat e të gjitha kredive të tjera. Por kjo nuk ndodhi në rastin e Shqipërisë. BQE-ja e uli në 1 për qind interesin me të cilin ua jep euron bankave të nivelit të dytë, me qëllim që kredimarrësit të vijonin të merrnin kredi e të kryenin investime. Por nga kjo politikë e BQE-së në rastin e Shqipërisë duket se fituan bankat dhe jo kredimarrësit.
Fitimet e bankave
Bankat e nivelit të dytë në vendin tonë jo vetëm që nuk paguajnë asnjë taksë në lidhje me krizën ekonomike, si po bëjnë mëmat dhe simotrat e tyre në vendet e BE-së, por përkundrazi po sigurojnë fitime jo të vogla. BSH-ja thotë se nga analizat e saj rezulton se është rritur fitimi bruto që bankat sigurojnë nga ndërmjetësimi financiar. Në terma mesatarë, ky tregues për lekun rezulton 8.13 për qind nga 7.27 për qind që qe më 2008-n. Norma mesatare e ndërmjetësimit për monedhën europiane vitin e kaluar ishte 5.41 për qind, ose 1 për qind më shumë se në vitin paraardhës. Bankat në Shqipëri u përballën vitin e kaluar me rritjen e shpejtë të kredive që nuk u shlyen rregullisht apo që hynë në procedura ndjekjeje ligjore, gjë që solli edhe rritjen e kostos. Por për shkak të kuadrit të dobët ligjor në kredidhënie, bankat qenë në gjendje që t’ia transferojnë me shpejtësi klientëve të rregullt, kostot shtesë të krijuara nga kredimarrësit e këqij. Shumica e bankave nënshkruajnë me klientët kontrata kredimarrjeje që i jep të drejtë bankës të ndryshojë normën e interesit “sipas vullnetit të saj të lirë”. Një klauzolë e tillë nuk i është sqaruar aq sa duhet klientëve para nënshkrimit të kontratës së qirasë, ndërkohë që disa juristë mendojnë se një klauzolë e tillë mund të bjerë ndesh me Kodin Civil shqiptar. BSH-ja ka miratuar disa rregullore që synojnë të detyrojnë bankat të informojnë klientët paraprakisht për përmbajtjet e kontratave, por ende nuk është marrë ndonjë masë për mbrojtje më të madhe për klientët e bankave.
28 Prill 2010