E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, standardet e parealizuara që na rrezikojnë bllokimin e vizave



Megjithëse hapat turravrap të qeverisë shqiptare për të realizuar sa më shpejt kriteret e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, korrupsioni dhe bashkëpunimi mes institucioneve ligjzbatuese vazhdojnë të jenë pengesat kryesore që po vënë në dyshim realizimin e premtimit të dhënë për të lëvizur lirshëm në zonën “Shengen” brenda vitit të parë të mandatit nga kjo maxhorancë. Edhe në vëzhgimin e bërë për herë të tretë nga ekspertët e Komisionit Europian, gjithçka është futur në filtrin e detajuar, larg paragjykimeve apo vlerësimeve politike. Ndonëse janë realizuar shumica e kritereve të përcaktuara nga Brukseli, raporti i vlerësimit, i përfunduar më 9 prill, nxjerr në pah edhe një sërë detyrash të rëndësishme që duhet të përmbushen nga qeveria shqiptare. Gjithsesi, detyrat e përcaktuara nuk i takojnë vetëm qeverisë së drejtuar nga zoti Berisha, por suksesi i saj varet nga shkalla e bashkëpunimit me institucione të tjera si Prokuroria, SHISH-i, apo agjenci të tjera, të cilat kanë peshën e tyre në këtë proces. Kjo është një betejë që nuk realizohet dhe as fitohet vetëm.

Mangësitë
Edhe në raportin e tretë të vlerësimit për kriteret e Udhërrëfyesit, Shqipëria nuk ka marrë pikët maksimale që t’u garantojë të drejtën qytetarëve të saj për të lëvizur lirshëm në BE, si fqinjët e tyre serbë, maqedonas apo malazezë. Duke lënë mënjanë klimën e tensionuar politike, aspektet teknike që i ka vënë kusht Brukseli kësaj qeverie, sërish nuk kanë marrë vlerësimin e duhur. Korrupsioni, lufta ndaj krimit të organizuar, konfiskimi i pasurive kriminale, apo bashkëpunimi ndërinstitucional në sferat e përcaktuara në Udhërrëfyes, janë shënjestruar si standarde të parealizuara. Ashtu siç është theksuar edhe në Progres – Raportin vjetor të KE-së, apo raportet e institucioneve ndërkombëtare, fenomeni i korrupsionit mbetet shqetësues, sidomos tek institucionet ligjzbatuese. (Për më shumë, shih në mënyrë të përmbledhur vlerësimet e katër blloqeve të Udhërrëfyesit.)

Konstatime
Teksa lexon konstatimet e raportit vlerësues për vizat, sheh se arritja e standardeve për të fituar vizat është një sfidë që nuk realizohet vetëm. Konfliktet e viteve të fundit të Ekzekutivit dhe maxhorancës me organin e Prokurorisë; ndryshimet e diskutueshme të kuadrit ligjor, përpjekja për t’i marrë kompetenca organit të akuzës përmes draftit për Policinë Gjyqësore, lufta e heshtur me Shërbimin Informativ Shtetëror (duke miratuar një draft që u tërhoq pas kontestimeve të hapura të ndërkombëtarëve); përplasjet për KLD-në, apo atrofizimi i plotë i Konferencës Gjyqësore); - po prodhojnë pasojat e para. Të gjitha këto janë spikatur nga ekspertët e Brukselit në raportin e radhës për vlerësimin e kritereve të Udhërrëfyesit. Aspekti më i kritikueshëm nga raporti është bashkëpunimi mes institucioneve ligjzbatuese që përfshihen në bllokun e Sigurisë dhe Rendit Publik.
Përtej sukseseve personale të Ekzekutivit shqiptar, ky raport, si dhe dy raportet e tjera të ekspertëve të Komisionit Europian, flasin qartë se fitimi i betejës nuk mund të bëhet vetëm nga një individ, një institucion apo një maxhorancë. Ashtu siç ky ekzekutiv mund ta fitojë betejën për t’u garantuar shqiptarëve qarkullimin e lirë në Europë, nëse arrin sukses në bashkëpunimin me institucionet apo pushtetet e tjera në vend.

VLERËSIMET

Blloku I – Siguria e Dokumenteve

Në periudhën maj 2009 dhe mars 2010 janë lëshuar 497 000 pasaporta biometrike. Elementet e sigurisë së pasaportës së re biometrike (foto dhe shenjat e gishtërinjve) janë në linjë me standardet e ICAO dhe të BE-së.

Lëshimi i pasaportës së re biometrike është i centralizuar në Tiranë dhe menaxhohet e mbikëqyret nga një kompani private në emër të Ministrisë së Brendshme Shqiptare. Është vënë në zbatim një proces prodhimi efecient dhe i sigurt me procedurat e personalizimit dhe të shpërndarjes.

Stafi i përfshirë në procesin e personalizimit të pasaportave është përzgjedhur me kujdes dhe ka marrë trajnimin e duhur. Risku për manipulim dhe korrupsion është minimizuar nga masat e sigurisë teknike, të tilla si ndarja strikte e detyrave, logimi i aksesit dhe mbajtja nën mbikëqyrje me kamera.
Në lidhje me lëshimin e dokumenteve, Regjistri Civil Kombëtar është burimi i vetëm i informacionit (që prej shkurtit të vitit 2009) dhe çdo qytetar ka një kartë të përhershme identiteti).
Duket se Shqipëria ka realizuar kushtet e përcaktuara në bllokun e parë të Udhërrëfyesit.

BLLOKI II – Migrimi ilegal, duke përfshirë riatdhesimin

Shqipëria ka bërë progres domethënës në fushën e menaxhimit të kufirit, azilimit dhe migrimit.
Në fushën e menaxhimit të kufirit është adoptuar në vitin 2008 legjislacioni për zbatimin e plotë dhe efektiv të Ligjit për Mbikëqyrjen dhe Kontrollin e Kufirit Shtetëror. Strategjia e Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe Plani i Veprimit është rishikuar në tetor 2009 dhe po vazhdon zbatimi i tyre. Bashkëpunimi ndërinstitucional është forcuar dhe që prej janarit të vitit 2010 është bërë funksionale Qendra Operacionale Ndër-institucionale Detare. Janë bërë përmirësime të mëtejshme tek infrastruktura e pikave kufitare dhe po vihen në punë gjatë vitit 2010 pajisjet shtesë. Burimet njerëzore janë përforcuar dhe në bashkëpunim me FRONTEX janë duke u zhvilluar kurrikulat e reja të trajnimit.

Sistemi i Azilimit të Shqipërisë është funksional dhe struktura legjislative po përforcohet gjithnjë e më tepër të për garantuar ecurinë me standardet ndërkombëtare dhe të BE-së. Autoritetet shqiptare po marrin në mënyrë graduale përgjegjësitë nga UNHCR-ja.

Në fushën e menaxhimit të migrimit po zbatohet në mënyrë të plotë dhe efektive ligji për të huajt, i vitit 2008 dhe plani i veprimit për zbatimin e ligjit, i miratuar në vitin 2009, është plotësuar në pjesën dërrmuese të tij. Që prej shkurtit të vitit 2010 është bërë operacional një Regjistër Kombëtar për të Huajt. Nevojiten përpjeke të mëtejshme në drejtim të një strategjie riintegrimi gjithëpërfshirëse për shqiptarët e rikthyer. Është forcuar fuqia e zbulimit të emigrantëve të parregullt brenda vendit përmes bashkëpunimit ligjor ndërinstitucional. Është duke u përfunduar ndërtimi i një qendre paraburgimi.

Është e dukshme se Shqipëria, përgjithësisht, realizon kriteret e përcaktuara në bllokun II të Udhërrëfyesit. Është i nevojshëm një verifikim i mëtejshëm në lidhje me zhvillimin e një strategjie dhe politike për të mbështetur riintegrimin e të kthyerve.

BLLOKI III – Siguria dhe rendi publik

Shqipëria ka bërë progres thelbësor në drejtim të realizimit të kushteve të plota të kritereve të përcaktuara në bllokun III.

Autoritetet shqiptare kanë rritur në mënyrë të vazhdueshme përpjekjet e tyre në luftën kundër krimit të organizuar. Struktura ligjore për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është përmirësuar nga miratimi së fundi të ligjeve të rëndësishme në fushat e konfiskimit të pasurive të krimit të organizuar, asistencës ligjore të ndërsjellë dhe mbrojtjes së dëshmitarëve. Në këtë fushë është në zbatim struktura e përgjithshme ligjore. Strategjitë dhe planet e veprimit po zbatohen në të gjitha fushat e këtij blloku. Është duke u bërë progres në përafrimin e strukturës së brendshme ligjore me standardet europiane dhe ndërkombëtare.
Kanë vazhduar përpjekjet në luftën kundër trafikimit të drogave dhe qenieve njerëzore, si dhe është bërë progres në forcimin e kapacitete të përforcimit të ligjit në luftën kundër pastrimit të parave. Ka rritje të numrit të investigimit dhe hetimit të rasteve të korrupsionit, ndonëse mbetet akoma i dobët niveli final i ndëshkimeve. Nevojitet vazhdimi i përpjekjeve shtesë thuajse në të gjitha fushat në nxitjen e kapaciteteve të përforcimit të ligjit dhe të zbatimit më efektiv të strukturave ekzistuese për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Shpërndarja e informacionit mes agjencive të zbatimit të ligjit ka shënuar përparim domethënës përmes shtrirjes së sistemit MEMEX te të gjitha drejtoritë rajonale të policisë dhe drejtoritë e migrimit dhe të kufirit.
Duhet të vazhdojnë përpjekjet për zbatimin e një afrimi me strukturat drejtuese të shërbimeve sekrete për të investiguar dhe përforcuar kapacitetet investigative të Policisë dhe Prokurorisë. Është rritur bashkëpunimi në fushën e luftës kundër krimit ekonomik përmes punës së bërë së fundi me krijimin e njësive të përbashkëta të investigimit.
Gjithashtu, duhet të bëhen përpjekje të mëtejshme në nxitjen e bashkëpunimit operacional mes Policisë dhe Drejtësisë në investigimin e rasteve të krimit të organizuar në fusha të tjera.
Është arritur një bashkëpunim efektiv me autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, në çështjet kriminale dhe kanë gjetur zbatim një numër investigimesh të suksesshme në bashkëpunim me agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit. Është bërë progres më i mirë në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, duke vënë theksin me publikimin e një plani veprimi dhe rritjen e aktiviteteve ndërgjegjësuese.

Duket se Shqipëria ka realizuar shumicën e kushteve të përcaktuara në bllokun III të Udhërrëfyesit. Përpjekje të mëtejshme duhet të bëhen në lidhje me forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe të zbatimit efektiv të strukturës ligjore për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, duke përfshirë alokimin e burimeve të nevojshme financiare dhe njerëzore. Në veçanti, zbatimin e strukturës së re ligjore në fushën e konfiskimit të aseteve kriminale, ku nevojitet një ndjekje e mëtejshme me vendosmëri.

BLLOKU IV – Marrëdhëniet e Jashtme dhe të Drejtat Themelore

Shqipëria ka bërë progres shumë të mirë në drejtim të realizimit të kritereve të përcaktuara në bllokun IV.

Një zhvillim kyç pozitiv ishte miratimi në shkurt të vitit 2010 i Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ligji parashikon krijimin e institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit, me kompetenca shumë të gjera, i cili ofron asistencë për viktimat dhe e ngarkon me mision për zbatimin e ligjit. Ligji hyri në fuqi në mars të vitit 2010. Tani po ndiqen hapat për zbatimin e tij, duke përfshirë caktimin e Komisionerit të ri.
Progres i mëtejshëm është bërë në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së romëve. Disa nisma pozitive janë ndërmarrë në promovimin e Dekadës së Romëve, duke përfshirë veçanërisht fushat e arsimimit, kulturës dhe punësimit. Janë bërë përpjekje edhe për lehtësimin e procedurave të regjistrimit civil për komunitetin rom. Këto përpjekje pozitive duhet të vazhdojnë dhe duhet të sigurohen burime të mjaftueshme për zbatimin e mëtejshëm të Strategjisë. Duket se Shqipëria realizon përgjithësisht kriteret e përcaktuara në Bllokun IV të Udhërrëfyesit.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›