E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: “Deficiti buxhetor kap shifrën e 38 milionë dollarëve në tre muajt e parë të 2010-ës”



Eneida Jaçaj

Partia Socialiste dhe maxhoranca nuk gjejnë gjuhët e përbashkët në analizën e situatës ekonomike në vend. Deputeti i PS-së, Ilir Beqja, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se ekonomia e vendit është tragjike, ndërsa qeveria vazhdon të mbajë të fshehura të dhënat zyrtare që dëshmojnë të vërtetën. Sipas tij, të dhënat mbahen të fshehta, sepse publikimi i tyre provon se vendi ndodhet në krizë ekonomike dhe se publikimi i tyre përligj deklarimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar se ekonomia shqiptare do të jetë e fundit në rajon që do të rifillojë ringritjen.
Të dhëna
Deputeti Beqja deklaroi se në tre muajt e parë të vitit 2010, deficiti në mbledhjen e të ardhurave tatimore është rreth 77 milionë dollarë, ku vetëm në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar deficiti është rreth 17 milionë dollarë. “Në tre muajt e parë të vitit 2010, TVSH është mbledhur vetëm 4.1% më shumë se në vitin 2009. Ekzaktësisht sa inflacioni në tre muajt e parë. As ulja e pragut të TVSH-së nga 8 milionë në 5 milionë, as nënçmimi i lekut me më shumë se 10% nuk e kanë fshehur dot rënien e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve në tremujorin e parë”, - u shpreh Beqja. Sipas tij, tatim-fitimi është realizuar 6.3% më pak se 1 vit më parë, duke provuar se biznesi i madh është në krizë, ndërsa tatimi mbi biznesin e vogël është realizuar 1.4% më pak se 1 vit më parë, duke provuar se edhe biznesi i vogël është në krizë.
Shpenzimet
Sipas të dhënave që deklaron deputeti i selisë rozë, deficiti i të ardhurave ka dhënë efekte edhe te shpenzimet. Beqja tha se shpenzimet për paga janë realizuar 4.3% më pak se 1 vit më parë. “Kjo dëshmon se buxhetorët kanë marrë më pak para se një vit më parë, duke provuar se këta njerëz jetojnë më keq se 1 vit më parë”, - tha Beqja, duke shtuar se shpenzimet për investime publike janë realizuar 23% më pak se 1 vit më parë. Provë kokëforte se sipërmarrja në Shqipëri është në krizë. Beqja bën me dije se edhe pse shpenzimet janë rritur më pak se 1%, deficiti buxhetor është 38 milionë dollarë në tre muajt e parë të vitit. “Sali Berisha nuk mund t’i mashtrojnë më shqiptarët që i vuajnë në kurrizin e tyre pasojat e krizës ekonomike, ku e ka zhytur vendin qeveria e tij, që pasi vodhi votat, po vjedh tani edhe punësimin, mirëqenien dhe të ardhmen e shqiptarëve”, - u shpreh deputeti Beqja.

Të dhëna
• Deficiti në mbledhjen e të ardhurave tatimore është rreth 77 milionë dollarë.
• Deficiti për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është rreth 17 milionë dollarë.
• Deficiti buxhetor është 38 milionë dollarë në tre muajt e parë të vitit.
• Tatim fitimi është realizuar 6.3% më pak se 1 vit më parë.
• Tatimi mbi biznesin e vogël është realizuar 1.4% më pak se 1 vit më parë.
• Shpenzimet për paga janë realizuar 4.3% më pak se 1 vit më parë.
• Shpenzimet për investime publike janë realizuar 23% më pak se 1 vit më parë.

Rama, me ftesa në duar, fton në protestën e 30 prillit qytetarët e Njësisë Nr. 9

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar turin derë më derë në Njësinë Bashkiake Nr. 9 në kryeqytet. Kryesocialisti u ka shpërndarë ftesa banorëve të kësaj njësie për të marrë pjesë në protestën e 30 prillit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sipas Ramës, populli, nëpërmjet protestave, duhet t’i japë fund keqqeverisjes, të ndalë rrënimin ekonomik dhe rritjen e faturave të jetesës. Banorët e Njësisë Nr. 9 kanë shfrytëzuar takimin me kreun e opozitës për t’i shprehur atij përkeqësimet në nivelin e jetesës si pasojë e pensioneve të ulëta dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve. “Po heqim shumë vështirësi me çmimet, me faturat e dritave dhe të ujit. Më datë 30 do ta gdhijmë në bulevard”, - u shpreh një banor. “Nuk është punë një dite apo dy ditësh, por është punë rezistence, paqësore, por është rezistencë për të mos lejuar më që kjo histori të vazhdojë”, - u shpreh Rama. Kreu i opozitës ka shkuar derë më derë në Njësinë 9, ku u ka shpërndarë ftesa jo vetëm banorëve, por tregtarëve të zonës dhe kalimtarëve të rastit.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›