Analiza e Departamentit të Kufirit: “Në 2008-n janë larguar si të parregullt 16 shtetas të huaj”
Tiranë - Drejtoria Rajonale e Kufirit, në analizën e saj për vitin që po mbyllet, konstaton se ka një rritje shqetësuese të personave që riatdhesohen nga vende të ndryshme të botës. Në analizë u veçua dhe fakti se në Aeroportin “Nënë Tereza”, për këtë vit është shënuar dhe numri më i madh i pasagjerëve të përpunuar, 1 158 328 shtetas. “Gjatë këtij viti, detyrë kryesore e kësaj drejtorie ka qenë kontrolli i dokumentacionit dhe parandalimi i ngjarjeve kriminale në pikën e kalimit kufitar në juridiksion të kësaj drejtorie”, - u tha në analizën e djeshme. Aty u konstatua se janë goditur 134 vepra penale me 234 autorë, të cilat janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, kurse janë kapur 25 persona në kërkim. Sakaq, në kontrollin e shtetasve të huaj dhe pajisjen e tyre sipas ligjeve me leje qëndrimi, konstatohet se për vitin 2008 kanë aplikuar 3377 shtetas. Këtë vit, kjo drejtori, në bashkëpunim me Interpolin, ka marrë masa sigurie për ekstradimin e 76 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për të cilin gjykatat shqiptare kanë dhënë vendime dënimi. Por viti që po mbyllet ka detyruar 3083 shtetas shqiptarë që të riatdhesohen jashtë dëshirës së tyre nga vende të ndryshme të botës, duke përfunduar në Shqipëri përmes aeroportit të vetëm civil në vendin tonë. Po ashtu, për vitin 2008 janë larguar me urdhra largimi 16 shtetas të huaj të parregullt në shtetin tonë, janë gjobitur 681 shtetas të huaj si dhe janë prapësuar si shtetas të parregullt në kufi edhe 171 të huaj të tjerë.
Kontrabanda ka qenë një tjetër dukuri që ka luftuar këtë vit Policia Kufitare në bashkëpunim me Doganën e Rinasit. Ata kanë kapur tre raste të kalimit të mallrave kontrabandë. Ndërsa janë prapësuar në kufi 50 shtetas shqiptarë dhe 221 të huaj. Po ashtu, 192 është numri i shtetasve të huaj për të cilët është kryer procesi i përzgjedhjes. Ndërkohë, janë marrë masa administrative për 681 shtetasit të huaj, të parregullt në territorin shqiptar.
Drejtoria Rajonale e Kufirit Tiranë pohoi dhe faktin se janë identifikuar 22 shtetase si viktima të trafikut të prostitucionit, kurse janë bllokuar edhe 208 pasaporta ndërkombëtare për shkelje të ndryshme.
19 Dhjetor 2008