Kthimi i emigrantëve, dyfishohen sportelet në Portin e Vlorës
VLORË - Drejtoria e Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Qarkun e Vlorës, me rastin e festave të fundvitit, ka njoftuar se do të dyfishojë sportelet në port. Drejtori i kësaj policie, Myzafer Elezi, u shpreh se do të dyfishohet numri i sporteleve dhe personelit që shërben në mjediset e Portit të Vlorës dhe zbaton procedurat e verifikimit të dokumentacionit. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe do të synohet të lehtësohen dhe procedurat e hyrjes, ndonëse, theksoi Elezi, do të shtohen masat e sigurisë dhe të kontrollit për të identifikuar dhe ndaluar njerëzit që mund të kenë probleme me policinë. Në mjediset e Portit të Vlorës do të funksionojë një këshill i përbashkët sigurie për të administruar ndonjë fluks emigrantësh e udhëtarësh të huaj. Ky këshill, ku marrin pjesë përfaqësues të Drejtorisë së Portit, Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, degës së Doganës dhe Kapitenerisë, funksionon mbi bazë të një marrëveshjeje mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit dhe do ta ushtrojë veprimtarinë si organ vendimmarrës gjatë gjithë periudhës së fluksit të udhëtarëve. Elezi thotë se kjo periudhë do të reflektojë tendencën e shtimit të hyrjes së emigrantëve që është vërejtur dy vitet e fundit. Gjatë periudhës janar - 1 dhjetor, në Portin e Vlorës kanë hyrë 63 581 emigrantë, ose rreth 15 për qind më shumë në krahasim me 12 muajt e vitit të kaluar. Në linjën detare Vlorë-Brindizi funksionojnë dy tragete, por shumë shpejt pritet të shtohet dhe një i tretë.
SHKURT
Aksident me pasojë vdekjen, policia në kërkim të autorit
KRUJË - Policia e Krujës ka identifikuar dhe po punon për ndalimin e autorit të një aksidenti që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, me pasojë vdekjen e një 14-vjeçari. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se rreth orës 18:30 të dy ditëve më parë gjeti vdekjen shtetasi Aulan Gjika teksa ndodhej në anë të rrugës, në fshatin Tapizë, pranë Fushë Krujës. Pas ekspertizës mjeko-ligjore, që përcaktoi se i mituri ishteë aksidentuar nga një automjet, forcat e policisë së Krujës arritën të identifikojnë drejtuesin e automjetit, i shpallur tashmë në kërkim. Policia bllokoi në cilësinë e provës materiale automjetin me të cilin u godit për vdekje i mituri.
Ndalohen dy të dënuar për falsifikim të dokumenteve
DURRËS - Dy shtetas, të dënuar në mungesë për falsifikim të dokumenteve, u arrestuan mbrëmjen e së mërkurës nga forcat e Policisë së Durrësit. Burime zyrtare të policisë thanë se Hilmi Bleta, 62 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 6 të Durrësit dhe Agim Hasku, 57 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 13 të qytetit të Durrësit, ishin dënuar përkatësisht me 5 dhe 6 muaj heqje lirie për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”. Tashmë ata do të vuajnë dënimet e dhëna nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Durrësit.
19 Dhjetor 2008