E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza e Fondit Monetar për krizën: Bota po shkon drejt përkeqësimit

 

Shqetësimet tona për përmasat e krizës financiare globale janë konfirmuar, madje janë tejkaluar nga zhvillimet aktuale. Ka dy kriza në këto momente në botë: njëra është në sektorin financiar që është edhe e para që patëm dhe që praktikisht filloi me përkeqësimin e aseteve të bankave, në fazat fillestare me kreditë për banesa në SHBA, por që tani është kthyer më tepër në një shqetësim për cilësinë e aktiveve të bankave, të cilat pastaj i bën njerëzit të mendojnë se nëse aktivet e këqija janë më të mëdha se kapitali, që bankat dhe institucionet financiare kanë, ndoshta kemi të bëjmë me një sektor financiar jo-solvent. Ka pasur një humbje besimi dhe kemi të bëjmë me një tkurrje të kreditit nga sektori financiar. Kriza financiare, shtrëngimi në kreditim dhe problemet e besimit, janë transferuar në ekonominë reale: prodhimi, manifaktura, eksportet dhe kjo po çon në rritje të papunësisë dhe uljen e aktivitetit ekonomik, edhe në ato vende që nuk janë aq shumë të ekspozuara ndaj krizës financiare në vetvete. Dhe tani jemi në një situatë kur të dyja krizat përforcojnë njëra-tjetrën. Tkurrja e kreditimit që vjen nga kriza financiare e bën më të vështirë për prodhuesit që të marrin kredi dhe të gjenerojnë kapital të mjaftueshëm për kompaninë, nga ana tjetër, papunësia dhe prodhimi më i ulët ua vështirëson njerëzve kthimin e kredive. Kur kreditë kthehen në kredi të këqija, kjo rrit më tej shqetësimin për sektorin financiar. Sfida kryesore e politikbërësve globalë është që të thyejnë këtë rreth vicioz. Nga njëra anë ju keni parë paketa të ndryshme stimuluese që janë miratuar nga shtete si p.sh: SHBA, Gjermania, Kina, paketa kur qeveria shpenzon më shumë dhe përpiqet të nxisë kërkesën. Kjo është diçka që ka ndodhur së fundmi, sapo ka filluar dhe ne duhet të presim që të shikojmë se si do të funksionojë. Në sektorin financiar, ka akoma për të bërë. Qeveritë janë përpjekur të rikapitalizojnë sistemin financiar, por mendoj se është e drejtë të themi se problemi nuk është zgjidhur akoma, dhe ka shqetësim të vazhdueshëm për shëndetin e sektorit financiar, sidomos në vendet më të mëdha, e veçanërisht në Amerikë. Tani përballemi me një sfidë kryesore, që të rikthejmë besimin në sektorin financiar dhe që gjerësisht të pastrojmë aktivet e këqija dhe të rikthejmë një sistem të shëndoshë financiar. Për të gjithë botën dhe veçanërisht për shtetet e zhvilluara dhe për shtetet që kanë një sektor financiar të madh apo që mbështeten shumë në eksport, ne parashikojmë një rrudhje të ndjeshme të rritjes ekonomike, rritje negative këtë vit dhe në një farë mase edhe vitin tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›