E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klubet angleze dominojnë Evropën e futbollit

 

Futbolli anglez shfaqi sërish potencialin e tij absolut në arenën e Ligës së Kampioneve me dy fitore të bujshme kundër skuadrave italiane e angleze. Çelsi theu Juventusin në Londër, ndërkohë që Liverpuli fitoi në Madrid me Realin. Të martën, Arsenali mposhti Romën me rezultatin 1-0, ndërsa Mançesteri barazoi me Interin në “San Siro”. Trajneri holandez Gus Hidink i ka ridhënë “sekretin e tij magjik” të fitores Çelsit të miliarderit Roman Abramoviç. Skuadra londineze fitoi 1-0 me Juventusin në “Stamford Brixh”, në sfidën e parë të një të tetave. Fatin e takimit e vendosi sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba, në minutën e 12-të, i cili festoi me gol ndeshjen e tij të 50-të në Ligën e Kampioneve. Liverpuli u tregua i pamëshirshëm në mitikun “Santiago Bernabeu”, duke regjistruar një fitore të rëndësishme ndaj Realit të Madridit, skuadrës rekordmene në kompeticionin aristokat të futbollit evropian të klubeve. Takimi dhuroi emocione të jashtëzakonshme, edhe pse goli i vetëm i ndeshjes u realizua tetë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt nga Benayoun. Panathinaikos rezistoi në Spanjë kundër Vilarealit, duke firmosur një barazim 1-1. Jorgos Karagunis dhuroi surprizën e madhe me një gol spektakolar kundër Vilarealit në “El Madrigal”, në minutën e 59-të. Greku i Panathinaikos kontrolloi mjeshtërisht topin në kufijtë e zonës së rreptësisë dhe me një goditje të kalibruar la si “statujë të mermertë” portierin e Vilarealit, Diego Lopez. Spanjollët barazuan nga pika e bardhë me anë të italianit Xhuzepe Rosi në minutën e 67-të. Bajerni i Munihut ka tjetër hije në Ligën e Kampioneve. Katër herë kampionët e Evropës shkatërruan në Portugali Sportingun e Lisbonës me rezultatin e thellë 0-5, duke prerë para kohe biletën për një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Francezi Frenk Riberi ishte edhe heroi i skuadrës gjermane, duke shënuar dy gola, nga një në çdo pjesë loje, 42’ dhe 63’, ky i fundit me penallti. Për të thelluar triumfin bavarez mendoi sulmuesi Miroslav Kloze (57’), pas një kombinimi Odo-Toni-Kloze. Nuk mund të mungonte në këtë takim edhe goli i sulmuesit italian Luka Toni, i cili shënoi golin e katërt për Bajernin në minutën e 84-t. Toni kompletoi mrekullinë e gjermane me golin e pestë të Bajernit në minutën e 91-të.

Rezultatet

Çelsi – Juventus            1 - 0
12’ Drogba
Real Madrid – Liverpul        0 - 1
/82’ Benayoun
Sporting L. - Bajern M.             0 - 5
/42’, 63’ (p) Riberi, 57’ Klose, 84’, 90’ Toni
Villarreal – Panathinaikos        1 - 1
67’ Rossi (p)/ 59’ Karagounis    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›