Leku po zhvlerësohet nga kërkesa e kompanive VIP
Fabiola Çela
Kërkesa e kompanive të mëdha për euro kanë bërë që leku të humbë pikë ndjeshëm ndaj euros. Banka e Shqipërisë e thotë në mënyrë të tërthortë, por tërheqja e sasive të mëdha të valutës nga industritë e mëdha të huaja dhe nga projektet e qeverisë që kryhen nga kompani të huaja, ka sjellë zhvlerësimin e frikshëm të lekut. Nga ana tjetër banka thekson në raportin e saj të djeshëm, se ndikim ka edhe frika e krijuar për një përkeqësim të mëtejshëm të kursit të këmbimit.
Kursi i këmbimit
“Përveç faktorit sezonal, gjykohet se në ecurinë aktuale të kursit të këmbimit ka dhënë ndikim edhe rritja e numrit dhe sasisë së kërkuar nga disa operatorë të veçantë, duke çuar në një përqendrim joracional të kërkesës në këtë periudhë të vitit. Për këtë qëllim Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen e të gjithë aktorëve në tregun valutor, përfshirë edhe publikun e gjerë, për të qenë më racional në lidhje me vlerësimin dhe administrimin e rrezikut të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë gjykon se ka ardhur koha që të rritet përdorimi i instrumenteve më komplekse financiare, siç mund të jenë kontratat e së ardhmes”.
Ekonomia
Sipas bankës, inflacioni në muajin janar 2009 rezultoi 2.1 për qind, pothuajse në të njëjtin nivel me atë të fundvitit 2008. “Tendenca në rënie e inflacionit është ndikuar nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror, reflektuar dhe në tregun vendas, si dhe nga kushtet të qëndrueshme makroekonomike në vend”. Vrojtimet e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, për tremujorin e fundit të vitit 2008 kanë regjistruar një rënie prej 10 pikë përqindje të treguesit të tendencës ekonomike, i cili megjithatë është mbi nivelin mesatar të 5 viteve të fundit. “Vlera e këtij treguesi pasqyron vlerësimin në rënie të bizneseve për nivelin e prodhimit, punësimit, kërkesës dhe situatës së tyre financiare”. Zhvillimet në sektorin e jashtëm tregojnë se në muajt e fundit të vitit 2008, shkëmbimet tregtare u rritën me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Importet kanë ruajtur ritme të larta rritje, prej 16%, ndërkohë që eksportet kanë shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes, duke ndikuar në thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar. Treguesit monetarë paraqesin ngadalësim të ritmeve të rritjes në muajin dhjetor, duke transmetuar sinjale për një ngadalësim të mundshëm të kërkesës për mjete monetare. Ritmi vjetor i rritjes së parasë së gjerë shënoi rënie në nivelin 8%. Zgjerimi i M3 është mbështetur kryesisht nga kredia për ekonominë, si dhe nga rritja e financimit të sektorit publik në përgjigje të kërkesës më të lartë për fonde nga sektori fiskal. Portofoli i kredisë shënoi një ngadalësim të ritmeve vjetore në 35%, e ndikuar nga zgjerimi i ulët mujor që shënoi kredia në muajin dhjetor 2008. Zhvillimet në tregun financiar tregojnë për transmetim të kënaqshëm të vendimit të fundit politikës monetare, duke reflektuar lehtësimin e kushteve monetare. Në tregun ndërbankar, në muajin shkurt, interesat për transaksionet njëditore dhe ato njëjavore reflektuan ulje. Në tregun primar normat e interesit të letrave me vlerë të qeverisë kanë pasqyruar rënie për të gjitha maturitetet. Të dhënat paraprake për depozitat në lekë tregojnë reduktim të normave të interesit, por gjykohet se kjo është e lidhur dhe me përfundimin e disa ofertave promocionale të janarit, veçanërisht për depozitat afatshkurtra.