E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Tani fillojnë muajt e frikës

 

Fabiola Çela

“Është e rëndësishme të kuptohet se ajo që do të shohim në Shqipëri do të jetë një ngadalësim i ndjeshëm dhe në Shqipëri do të ketë një ngadalësim të ndjeshëm, por unë nuk do ta quaja këtë krizë. Unë nuk mendoj se Shqipëria është në krizë. Shqipërisë do t’i duhet të përballet me një ngadalësim dhe politikat do të duhet t’i përshtaten kësaj”. Për Gerwin Bell, shefin e FMN për Shqipërinë, edhe pse fjala krizë përjashtohet, jo gjithçka do të shkojë mirë në ditët në vazhdim. Në intervistën e tij, ai thekson se do të ketë rritje të papunësisë, ulje të eksporteve dhe zhvlerësim të mëtejshëm të lekut.
Parashikimi
“Pse është Shqipëria në një pozicion disi më të mirë se të tjerët mund të pyesni ju? Ka të bëjë me disa nga politikat e mëparshme dhe në mënyrë të veçantë edhe me programet qe ne kemi pasur me Shqipërinë. Për shembull për sektorin bankar, diçka që ndeshet shpesh në sistemin bankar rajonal, është se disa kredi që janë dhënë hua në Franga Zvicerane ose në Jenin Japonez, gjë që nuk ka ndodhur këtu. Gjithashtu, praktikat e mëparshme kanë qenë për të qenë tepër të matur në mbikëqyrjen bankare dhe aktualisht bankat kanë kapital të mjaftueshëm për të absorbuar kreditë e këqija. Gjithashtu, ekonomia është më shumë fleksibël dhe ka të ngritura disa masa mbrojtëse. Shqipëria ia doli që të zbatonte me sukses regjimin e inflacionit të shënjestruar, çka i lejoi Bankës së Shqipërisë të ulte normat e interesit. Dhe kjo është diçka që shtetet, të cilët nuk kanë politikë monetarë të pavarur, nuk mund ta bëjnë dot.
Banka e Shqipërisë ishte gjithashtu në gjendje që të siguronte likuiditet të mjaftueshëm deri tani për sistemin bankar gjatë vitit që shkoi, kur kjo ishte e nevojshme në fund të vitit të kaluar pas ngjarjeve globale që nga tetori. Shqipëria ka një kurs këmbimi fleksibël, që është shumë e rëndësishme. Kursi i këmbimit ju ndihmon për të absorbuar disa goditje që mund t’ju prekin. Zhvillimet e fundit në kursin e këmbimit kanë përmirësuar konkurrencën e eksporteve shqiptare, si dhe i kanë bërë prodhuesit shqiptarë që konkurrojnë me importet më konkurrues, p.sh., sektori vendas i bujqësisë është në një pozicion më të mirë ndaj prodhimeve bujqësore të importuara. Kjo ndihmon gjithashtu në anën e të ardhurave, kur bie fjala për taksat mbi importet, pasi tani importet janë pak më të shtrenjta. Sigurisht që nuk është vendi për vetëkënaqësi. Po ju jap shumë faktorë që janë të mirë në Shqipëri. Por është e rëndësishme që politkbërësit nuk duhet t’i lënë politikat e matura. Në mënyrë të veçantë, është e rëndësishme që buxheti të jetë i shtrënguar. Dhe ka disa mekanizma ekzistues, në rast se p.sh., të ardhurat do të binin, diçka që e shohim si të mundshme, disa nga shpenzimet kontingjente në buxhet nuk duhet të kryhen. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme këtë vit, që të gjitha të ardhurat nga privatizimi të përdoren për të financuar buxhetin dhe jo për të financuar shpenzime shtesë.
Ju përmendët, ndikimin e krizës. Duke marrë parasysh dhe faktin që është një vit zgjedhor, çfarë ndikimi do të kenë zgjedhjet në të ardhurat?
Ajo që unë marr në konsideratë është kriza. Unë besoj, se duke qenë se situata në botë është mjaft e rëndë, të gjithë e kuptojnë se përpjekjet për të grumbulluar të ardhurat nga taksat nuk duhet të relaksohen. Por edhe me përpjekje maksimale, ne kemi frikë se do të ketë nën-realizim të ardhurash, pasi ekonomia do të ngadalësohet. P.sh., nëse shohim të dhënat e fundit të tregtisë, do të shihni një kolaps masiv të tregtisë në të gjithë botën. Kjo nuk do ta lerë Shqipërinë të paprekur. Kështu që ne parashikojmë mundësinë e taksave më të ulëta indirekte, si p.sh., të ardhurat e TVSH-së nga doganat, por edhe të ardhura më të ulëta nga tatimi mbi të ardhurat personale, në rast se papunësia do të rritej. Gjëja e rëndësishme është se kjo nuk do ta gjejë buxhetin të papërgatitur. Buxheti ka shpenzime kontingjente në masën 2% të PBB-së. Në rast se ka një mosrealizim të ardhurash deri në 2% të PBB-së (dhe ne nuk mendojmë se do të ketë një mosrealizim më të madh), ky mund të përballohet nga buxheti thjesht duke mos i shpenzuar këto kontingjenca.
Duhet që qeveria të hartojë një plan për krizën, duke pasur parasysh tashmë se konfeksionet, industri, ndërtim kanë dhënë alarmin?
Plani më i mirë kundër krizës që ne mund të shohim, është që të mbahen politikat makroekonomike në ato linja që unë sapo diskutova. Një gjë e rëndësishme që qeveria ka bërë së fundmi, është për të bërë një përpjekje për të përshpejtuar rimbursimin e TVSH-së. Kjo duhet t’i ndihmojë veçanërisht eksportuesit dhe manifakturën. Në mënyrë të ngjashme, normat më të ulëta të interesit do të ndihmojnë. Por ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm kur bëni avokatinë e masave të veçanta fiskale për sektorë të veçantë, pasi rrezikoni të merrni pará nga një sektor për t’ia dhënë një tjetri. Dhe unë nuk mendoj se kjo është përqasja e drejtë. Por gjëja e parë e rëndësishme është që buxheti të ketë një kërkesë për financim, që mund të përballohet dhe pastaj t’i lihet fleksibilitetit të ekonomisë shqiptare që të luajë rolin e vet. Dhe mbi këto baza, unë mendoj se Shqipëria mund të regjistrojë rritje këtë vit, krahasuar me rënien në ekonomitë e zhvilluara dhe në vende të tjera të rajonit. Kjo nuk është koha për aktivizëm nervoz, por kjo është koha për një dorë të sigurtë që të sigurohet stabiliteti makroekonomik.
A ka ndonjë parashikim për rritjen ekonomike, apo mbeteni tek parashikimet e bëra nëntorin e kaluar?
Nëse ne si FMN kemi mësuar ndonjë gjë nga kjo krizë, është se çdo shifër që mund të japim, ndoshta do të rishikohej pas dy javësh. Mendoj se ka një obsesion të përgjithshëm me shifrat tani. Ne në FMN jemi të drejtpërdrejtë rreth kësaj dhe themi se po i rishikojmë shifrat përsëri dhe kjo duhet t’ju lërë ju të kuptoni se situata në botë është e paqartë. Unë mendoj se kjo e shmang vëmendjen nga çështjet më të rëndësishme dhe të drejta në këtë pikë, nëse thjesht fokusohemi te numrat. Gjëja më e rëndësishme tani është se ka disa pika të forta të ekonomisë shqiptare që duhet të ndihmojnë në këtë situatë, por ka gjithashtu nevojë, për vazhdimësi të maturisë në politika. Dhe nëse bëhet kjo, do të jetë përsëri e mundur të arrihet rritje ekonomike pozitive. Unë nuk do t’ju jap ju një shifër tani.
Ju thatë që Shqipëria nuk është në krizë, po do ketë ngadalësim. Sa shqetësues mund të jetë ky ngadalësim?
Do të jetë më ngadalë sesa ajo që ju keni përjetuar. Shqipëria ka bërë një përparim mbresëlënës në vitet e fundit, në dekadën e fundit në përgjithësi. Kjo ka reflektuar dy gjëra, politikat por edhe mjedisin global shumë pozitiv. Globalizimi ka sjellë përfitime për të gjithë, një rritje të pasurisë kudo në botë. Kjo nuk është situata ku jemi sot. Ju do ta ndjeni. Nuk do të them se do të jetë njëlloj si vjet, do të ketë ndjeshëm më shumë vështirësi, pasi do të rriteni më ngadalë. Këtu ka një popullsi të re, që do të krijojë vende pune, njerëzit duan të investojnë, por do të jetë më e vështirë këtë vit. Por kjo është ndryshe nga një krizë. Një situatë krize do të ndihej shumë-shumë më fort se kjo që ne po parashikojmë. Ju do të keni një ngadalësim, do të krijohen më pak vende pune, do të ketë më pak investime dhe në përgjithësi do të jetë më e vështirë për të marrë kredi. Por në përgjithësi do të ketë një ekonomi që funksionon normalisht. Do të jetë më e vështirë, por nuk po parashikojmë krizë.
Është e rëndësishme të nënvizohet, se Shqipëria është rritur më shumë se vendet e tjera në 10 vitet e fundit kur kushtet ishin të mira. Ne mendojmë se Shqipëria do të ecë më mirë se vendet e tjera në rajon tani që kushtet janë të këqija. Por do të ketë qartësisht një ngadalësim në shkallën e rritjes duke konsideruar dy situatat e ndryshme. Shqipëria nuk mund t’i shmanget pjesës tjetër të botës.
Ju përmendët efektet pozitive që ka nënçmimi i monedhës sidomos në krahun e tregtisë. Po rreziqet, sidomos për sistemin financiar?
Padyshim. Dhe ne e shohim ketë në disa vende të Evropës Lindore dhe sidomos në vende ku shumë konsumatorë morën hua në monedha të lira (franga zvicerane, jen). Ata e kanë më të vështirë tani me një kurs këmbimi të nënçmuar të paguajnë huatë. Ky rrezik ekziston, por kjo nuk është një gjë e re për rregullatorët dhe mbikëqyrësit. Dihet se Shqipëria ka një sasi të konsiderueshme huash në euro. Por në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka këmbëngulur që të ketë provigjionim të mjaftueshëm për këto kredi kur ato janë dhënë. Ato janë të mbuluara plotësisht nga bankat dhe të provigjonuara në masën 150%. Kështu që bankat kanë ndërtuar mekanizma mbrojtës për të përballuar këtë. Gjithashtu edhe nëse shikoni huamarrësit, shumë prej tyre duket sikur janë të mbuluar, me fjalë të tjera, kanë disa të ardhura në euro, qe i mundëson të shlyejnë borxhet në euro. Dhe së dyti, flluskat e pasurive të paluajtshme që janë vënë re në vende të tjera të rajonit, ku shumë valutë është investuar në pasuri të paluajtshme duke rritur çmimet në nivele astronomike nuk shihen këtu. Pra, ka më pak probabilitet për t’u goditur në këtë front. Kjo është një nga arsyet pse them se politikat e të shkuarës po japin përfitim, pasi ka qenë një vendim i ndërgjegjshëm i autoriteteve shqiptare për të limituar rritjen e huadhënies në valutë që 2-3 vjet të shkuara. Dhe duke e limituar rritjen atëherë, kjo do të thotë që problemi është më pak i mprehtë se në vende të tjera.
Ju nuk keni qejf të jepni numra, por është në bazë të numrave që ne qartësojmë kemi rritje apo rënie. Nëse themi 1% kemi rritje, pra nëse themi -1% kemi rënie. Jeni të sigurtë që do kemi rritje, apo do ketë rritje zero?
Asnjëherë nuk mund ta thuash. Ajo që unë mund të bëj është një parashikim, por parashikimet vijnë me masën e tyre të pasigurisë. Kur ishim këtu verën e kaluar, ne po parashikonim ende një rritje prej 5%, pastaj kur erdhëm në nëntor parashikonim rritje 3.5-4%, para disa javësh dhashë një intervistë ku thashë se ndoshta do të na duhet ta ulnim parashikimin. Pa dyshim që ka pasiguri. Por ajo që ju shihni, është se pjesa tjetër e botës, po ngadalësohet shumë më shpejt në parashikimet tona. Unë nuk mund t’ju them se si do të jetë pas 6 muajsh, apo 3 muajsh. Sot, me një dozë të arsyeshme sigurie unë mund t’ju them se ne mendojmë se do të ketë rritje ekonomike në Shqipëri. A do të jetë 1,2,3,4,5% nuk mendoj se është një ushtrim shumë frytdhënës tani. Ushtrimi frytdhënës tani është që të sigurohemi se politikat e matura do të vazhdohen, sidomos duke qenë se zgjedhjet po afrohen. Ka ende punë për të bërë nga politikat përpara se kriza të godasë Shqipërinë. Kjo është detyra e rëndësishme tani. Pasi këto politika të matura të ndërmerren, unë do të jem i lumtur të vij pas zgjedhjeve dhe të më thoni që kam qenë tepër pesimist. Tani për tani, përpjekjet duhet të përqendrohen në anën e politikave, jo në kush ka numrin më të mirë. Unë nuk dua të flas për këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›