E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana e Elbasani vetëm ‘X', Dinamo pushton Shkodrën

 

Tirana dhe Elbasani u përballën dje për herë të dytë brenda pak ditësh dhe sërish elbasanasit mundën të frenojnë 23-herë kampionen brenda në shtëpi, duke i dhënë një shuplakë të rëndë klubit dhe skuadrës bardheblu, që jo vetëm pretendon se është më e mira në kampionatin shqiptar, por synon t’i fitojë të dy trofetë në këtë sezon, pra si Kupën edhe kampionatin. Në takimin e djeshëm të luajtur në kuadër të përballjes së parë të turit të tretë të Kupës së Shqipërisë, Tirana zhvilloi një nga ndeshjet e saj më të dobëta dhe për rrjedhojë nuk shkoi më larg se barazimi, duke komprometuar objektivat që ka në këtë kompeticion të rëndësishëm. Edhe pse grupi kishte dhënë deklarata të forta për një ndryshim rrënjësor dhe ishte shprehur optimist për një fitore të madhe, sërish Tirana çalon dhe Elbasani di edhe këtë herë të dalë nga kryeqyteti me kokën lart.
Vllaznia-Dinamo
Dinamo tani është kthyer në një makth për kuqeblutë, pikërisht në stadiumin “Loro Boriçi”. Ekipi, i drejtuar në këtë takim nga Shkëlqim Muça, ka përsëritur fitoren minimale të arritur në fundvitin e kaluar, kur bluve u ka mjaftuar një gol i Sebino Plakut për të marrë trepikëshin. Fitorja e djeshme për blutë ka pasur shumë vlerë, pasi kanë hedhur një hap të rëndësishëm për të kaluar në turin gjysmëfinal. Shkodranët, që në vërshëllimën e parë të Latifit, kanë qenë të rrezikshëm para portës së Kotorrit. Nuk kanë kaluar as 3 minuta dhe Sukaj ka ftuar në zonë Sinanin, i cili shënon përballë Kotorrit. Në momentin e dytë të rrezikshëm në portën shkodrane, nga një vendosje jo shumë e mirë e mbrojtjes vendëse ka përfituar Poçi, që harkon nga e majta dhe Sefa e dërgon me kokë topin në rrjetë. Megjithatë pretendimet e vendësve kanë qenë të mëdha, sepse, sipas tyre, goli i shënuar nga Sefa është bërë me dorë. Miqtë ndihen si të zotët e shtëpisë dhe arrijnë të shënojnë dhe një gol të bukur, me autor Plakun.
Flamurtari-Partizani
Megjithëse duke fituar ndaj Partizanit me një rezultat të ngushtë, Flamurtari nuk ka asgjë të sigurt për takimin e kthimit, pas dy javëve në Tiranë. Por, të paktën për momentin mund të thuhet se me këtë rezultat në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë bëri një hakmarrje ndaj kryeqytetasve, të cilët në fundin e vitit 2008 e thyen Flamurtarin në kampionat, atëherë kur vlonjatët mendoheshin më superiorë. Shehaj është bërë protagonisti kryesor, kur ka gjetur rrugën e rrjetës me 11-metërshin, që e siguroi po vetë, duke e dëmtuar dy herë Partizanin: fillimisht me një karton të kuq dhe më pas me një gol në dëm të miqve.
Shkumbini-Besa
Skuadra e Shkumbinit ka arritur një barazim 1-1 me Besën e Kavajës në takimin e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë në shtëpi. Një takim që ka folur totalisht për skuadrën e Maganit, por që nuk i shfrytëzoi si duhet ato raste që iu shfaqën para portës kavajase. Trajneri i ri i Besës, Ilir Biturku, e ka nisur me një barazim të rëndësishëm rrugën e tij në krye të kësaj skuadre, kur do t’i presë më i qetë peqinasit në ndeshjen e kthimit.

90’ minuta me batutat e Xhaxhit
Trajneri Faruk Sejdini shquhet për batutat e tij ironizuese dhe pas suksesit (në një farë mase) në “Qemal Stafa”, ai nuk i kurseu ironitë në adresë të bardhebluve dhe ndaj vetë drejtuesve të stadiumit. “Ky është tamam si Burgu 313. Konferencat e shtypit pas ndeshjes i bëjmë në ambient të hapur, por më e keqja është se nuk merret vesh ku është hyrja e ku është dalja. Shumë labirinte ka këtu”, ironizoi Sejdini. Sjellja e “Xhaxhit” gjatë gjithë takimit ka tërhequr jo pak vëmendjen e të pranishmëve. Tekniku drejtoi ekipin nëpërmjet shenjave të gjymtyrëve, ndërkohë që irritimit të tifozëve bardheblu iu kthye me të qeshura. Në fund, i pyetur për mundësinë e shënimit të golit nga sulmuesit e tij ai u përgjigj në mënyrë therëse “ju tani thoni sikur halla...”.

Dede, incident me tifozët
Mbrojtësi i Elbasanit, Nevil Dede, pati dje një përplasje të vogël me tifozerinë bardheblu, gjatë një momenti kur ishte pranë tribunës së tifozëve dhe kur loja ishte duke shkuar qetësisht drejt barazimit 0-0. Një buzëqeshje ironike e Dedes bëri që një nga tifozët të provokonte mbrojtësin, i cili i kundërpërgjigjet aty për aty me të njëjtën monedhë. Tifozi i shpreh me zë të lartë ish-kapitenit elbasanas mundësinë e vënies në ndonjë skedinë bastesh të ndeshjes që po luhej, ndërkohë që i fyer Dede e sulmon me të shara nga fusha, por që kupton gabimin dhe qetësohet shpejt. Reagimi i tij s’u prit mirë nga tifozeria e Tiranës, e cila u ngrit e tëra në këmbë dhe kritikoi mbrojtësin për reagimin e tij,
ku nuk munguan edhe të sharat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›