E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja e Ervin Skelës vendoset në këto dy javë

Brenda dy javëve të pauzës së kampionateve kombëtare për shkak të impenjimit të përfaqësueseve në eliminatoret e Botërorit 2010, duket se do të vendoset edhe e ardhmja e Ervin Skelës. Për një gjë të tillë ka shkruar dje e përditshmja e njohur gjermane "Tages Zeitung", e cila i referohet deklaratës së trajnerit të skuadrës Mynih 1860, Evald Linen. "Është e qartë që kemi probleme në mesfushë. Tani duhet ta kërkojmë zgjidhjen gjithkund, brenda dhe jashtë skuadrës", u shpreh të hënën tekniku Linen. Një emër konkret është shqiptari Ervin Skela (32 vjeç): "Ne nuk jemi në një situatë të mirë, ndaj nuk mund të refuzojmë asnjë, nënvizon trajneri i Mynih 1860. Por si fillim duhet të gjejmë burimin e nevojshëm financiar". Javën e kaluar ka pasur bisedime mes menaxherit të Skelës dhe klubit të Bundesliga 2, por këto tratativa janë intensifikuar gjatë kësaj jave. Palët janë takuar edhe dje, ndërsa shtypi gjerman bën të ditur se shqiptari do të jetë nën "lupën" e Mynih 1860 në dy ndeshjet e radhës të kombëtares së Shqipërisë, miqësoren të të shtunës ndaj Greuther Furth dhe atë të të mërkurës kundër Suedisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›