E Diel, 1 Nëntor 2026

Pujol: Kemi nevojë për Albertinin

27/01/2005  

Demetrio Albertini, tashmë është një futbollist i Barcelonës. “Kam kaluar ditë me shumë nervozizëm, sepse nuk e dija që tratativa midis Barcelonës dhe Atalantës do të kishte një fund të mirë- ka deklaruar dje mesfushori, në sitin zyrtar të klubit katalanas- por tashmë jam i kënaqur që do të luaj me Barcelonën. Gjatë festave të fundvitit mendoja vetëm për Atalantën, më pas erdhi surpriza: Rajkard më ka kërkuar për eksperiencën time. Frenk mendon se, mund të ndihmoj skuadrën me eksperiencën time, në Ligën e Kampioneve. Barcelona, për mua është një skuadër e të njëjtit nivel si Milani. Duhet të lë pas shpatullave të shkuarën, ta rifilloj nga zero, me shumë entuziazëm dhe si gjithmonë, me profesionalizëm”. Demetrio Albertini ka kaluar vizitat mjekësore dhe sot do të prezantohet zyrtarisht përpara shtypit spanjoll. Në qytet dhe në brendësi të skuadrës ka shumë entuziazëm. Kapiteni i Barcelonës, Pujol, ka thënë: “Blerja e një futbollisti të madh si Albertini, është një avantazh për të gjithë. Ka luajtur më parë në kampionatin spanjoll dhe njihet mjaft mirë me teknikun Rajkard. Eksperienca e tij e mëparshme me Milanin, do të jetë shumë e rëndësishme për ne”. Ndërsa, komenti i Silvinjos: “Do të forcojë mesfushën tonë. Jemi me fat, sepse ai mund të japë kontributin e tij, si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve”. Albertini do të luajë me numrin 22, që më parë e ka mbajtur pas shpatullave Luis Garcia, futbollist, që aktualisht aktivizohet me Liverpulin. Sipas zërave të pakonfirmuar, futbollisti që kishte nënshkruar një kontratë dyvjeçare me Atalantën, do të përfitojë 300 mijë euro deri në fund të këtij sezoni. Reagime entuziazmante në Spanjë, më pak në Bergamo, ku largimi i Albertinit është vlerësuar nga shumë tifozë, si tradhti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›