Edu largohet në fundjavë

27/01/2005 Pritet që largimi i Edu nga klubi i Arsenalit të konfirmohet në fundin e kësaj jave. Kontrata aktuale e mesfushorit brazilian me kampionët në fuqi të Premier Ligës, skadon në fundin e këtij sezoni. Para disa ditësh ai kishte deklaruar se nuk do të firmos asnjë kontratë të re me topçinjtë e Londrës duke nxjerrë në pah kështu dëshirën e tij për t’u larguar si nga Londra, por edhe nga Anglia. Pavarësisht nga dëshira e trajnerit Arsen Venger për të mbajtur akoma në “Hajbëri Park” mesfushorin 26 vjeçar duket se menaxheri i tij ka konfirmuar zyrtarisht se largimi i Edu është më se i sigurtë. “Vetëm brenda pak ditësh klubi, i cili kërkon të nënshkruaj një kontratë me Edu, duhet të kontaktoj me Arsenalin për të biseduar lidhur me transferimin e tij, ka thënë menaxheri Zhan Gaspar. Pas një akordi të tillë mendoj se ai do të bëjë të ditur destinacionin e ardhshëm në karrierën e tij”. Ndërkaq javën e kaluar Venger kishte deklaruar se Edu nuk mund të qëndroj më me skuadrën që ai drejton, pavarësisht se kishte kaluar vetëm një vit nga aktivizimi si titullar me Arsenalin. “Ai ka vetëm dy zgjidhje për të bërë ose të firmos kontratën e re ose më mirë të largohet qysh tani. Është krejtësisht e pamundur për atë që të qëndroj me ne deri në fund të sezonit”. Si fillim mesfushori brazilian ka patur disa vështirësi për t’u përshtatur me kryeqytetin anglez, por në sezonin e kaluar ai nxorri në pah vlerat e tij më të mira. Me aftësitë e tij arriti të kontribuonte në triumfin e Arsenalit gjatë fitimit të titullit kampion në Premier Ligë. Po ashtu ai ka zhvilluar një lojë shumë të mirë edhe në Ligën e Kampioneve gjatë takimit me Selta Vigon, ku ka shënuar dy gola për topçinjtë. Nga ana tjetër Edu ishte ulur në bisedime javën e kaluar edhe me Dejvid Dein zv/presidentin e Arsenalit, të cilit i ka konfirmuar se nuk do të firmos kontratën e re. “Unë nuk kam vendosur që të qëndroj me Arsenalin sepse kam disa oferta nga klubet më të mëdhenj në Evropë, ka thënë Edu. Me Arsenalin kam kaluar një periudhë shumë të mirë dhe sigurisht do të ruaj në kujtesën time kujtime shumë të bukura. Aty kam fituar trofenj, kam arritur shumë suksese. Kam patur një respekt të madh si nga media, tifozët apo edhe shokët e skuadrës. Mund të them me bindje se edhe unë e kam shkruajtur emrin tim në historinë e klubit të Arsenalit. Kam marrë pjesë në ndeshje të tilla në të cilat kjo skuadër ka thyer rekorde të mëdha”.