E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depozitat garantohen deri në 25 mijë euro

13/03/2009  Këshilli i Ministrave miraton projektligjin për sigurimin e depozitave bankare të shtetasve

“Qeveria shqiptare vendos standard europian të garantimit të depozitave të qytetarëve”

Depozitat bankare të qytetarëve do të sigurohen deri në një shumë prej 25 mijë euro. Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë ka bërë me dije rritjen e pragut të garantimit të depozitave për qytetarët. Duke folur mbi projektligjin që mundëson këtë garanci të depozitave bankare, kreu i qeverisë theksoi se kjo masë merret si pasojë e trendit pozitiv të rritjes së kursimeve në bankat e vendit gjatë dy muajve të fundit. “Trendi pozitiv i rritjes së kursimeve në bankat e vendit gjatë dy muajve të fundit inkurajon qeverinë që së bashku me bankat të rrisë garancinë e plotë për kursimet deri në 25 mijë euro të qytetarëve. Me këtë projektligj qeveria shqiptare vendos një standard europian të garantimit të depozitave të qytetarëve”, - theksoi Kryeministri Berisha. Sipas tij, me këtë projektligj qeveria së bashku me bankën marrin përsipër granatimin e mbi 80 për qind të të gjitha depozitave bankare. Ai nënvizoi se në këtë mënyrë ekzekutivi shqiptar ka vendosur standardin evropian të garantimit të depozitave të qytetarëve. Duke shpjeguar draftin ligjor, Berisha tha se Agjencia e Garantimit të Depozitave, e cila po funksionon, do të ketë një fuqizim të ri të madh, ndërkohë që ky vendim lidhet direkt me rritjen progresive të nivelit të depozitave në bankat shqiptare. “Mendoj se ky është veprim shumë i arsyeshëm dhe i drejtë, i propozuar nga Ministria e Financave dhe që lidhet direkt me rritjen progresive të nivelit të depozitave në bankat shqiptare”, - ka deklaruar Kryeministri Berisha. Në optikën e kreut të qeverisë projektligji është i domosdoshëm për të garantuar edhe kursimet e emigracionit shqiptar. “Ky është vendim me impakt shumë pozitiv për të gjithë emigrantët që depozitojnë në bankat e Shqipërisë paratë e tyre, duke i pasur 100 për qind të sigurta në masën deri në 25 mijë euro. Edhe ndrojtjet që ata mund të kenë në vendet e tjera ku jetojnë, këtu do të kenë një strehë të sigurt, një vendosje të sigurt për paratë e tyre”, - ka thënë ai. Duke përgëzuar Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë për arritjen e këtij vendimi, Kryeministri Berisha e vlerësoi atë të përgjegjshëm dhe të rëndësishëm për kursimet e qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.

Duket se vendimi i qeverisë vjen si përgjigjeje ndaj opozitës, e cila ka deklaruar se vendi është përfshirë në krizën ekonomiko-financiare globale. Vetë Kryeministri Berisha ka deklaruar disa herë se Shqipëria nuk është pjesë e atyre vendeve të prekura drejtpërdrejt nga kriza. Ai ka pohuar se kriza globale do të përcjellë pasojat edhe në ekonominë shqiptare, por në asnjë mënyrë nuk do ta nënshtrojë atë. Kryeministri Berisha ka deklaruar se institucione të fuqishme dhe serioze ndërkombëtare kanë parashikuar që vendi ynë të vijojë rritjen ekonomike, pavarësisht krizës globale. Shefi i ekzekutivit ka nënvizuar se përmes reformave financiare të ndërmarra me kohë qeveria ka mundësuar përballimin e kësaj krize.

Shtim fondesh për Gërdecin

Këshilli i Ministrave do të shtojë fondet për financimin e dëmeve pasurore të shkaktuara nga aksidenti i Gërdecit. Kryeministri Berisha tha se vendimi vjen pas rillogaritjeve që janë bërë për dëmet në këtë zonë. “Ne qëndrojmë të vendosur, ashtu siç keni konstatuar, për rikthimin në një nivel tjetër të ri të infrastrukturës, të ndërtimit të banesave dhe gjithçkaje tjetër në zonën e traumatizuar”, - tha ai. Duke u ndalur në zbardhjen e tragjedisë, Berisha u shpreh i bindur se drejtësia do të thotë fjalën e saj për këtë tragjedi. Ai tha se kjo ngjarje po keqpërdoret nga opozita për përfitime politike. “Të hapësh fushatë elektorale me mitingje mortore, do të thotë se merr përsipër një përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndë, një dhunim të një kodi që është i shenjtë për shqiptarët”, - deklaroi Kryeministri Berisha.

Më shumë para për zgjedhjet

Qeveria ka miratuar vendimin për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2009 për përballimin e shpenzimeve për përgatitjen e listave të zgjedhësve për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë prezantimit të projektvendimit shefi i ekzekutivit e vlerësoi këtë vendim si jashtëzakonisht të rëndësishëm në kompletimin e infrastrukturës së nevojshme zgjedhore. Në mbledhjen e qeverisë janë miratuar disa vendime për përcaktimin e autoritetit kontraktues dhe bonusin përkatës për dhënien me koncesion për 9 hidrocentrale të tjera: Labinot-Fushë, Shutinë, Ostren i Vogël, Gomsiqe 1, 2 dhe 3, Lingjancë dhe Fushë-Arrëz. Kryeministri Berisha vlerësoi se historia dyvjeçare (2007-2009) e këtij procesi është një nga historitë më të suksesshme jo vetëm për Shqipërinë, por një sukses mbase i papërsëritshëm në historinë e tregut.

Plotësohen kërkesat e paraplegjikëve

Qeveria përmes një vendimi të marrë mbledhjen e djeshme ka përmbushur kërkesat e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, duke plotësuar paketën mbështetëse për këtë shtresë të popullsisë. Kreu i qeverisë Sali Berisha ka thënë se me ndryshimet e miratuara në trajtimin e këtij kontingjenti rritet mbi 60% trajtimi i tyre krahasuar me vitin 2005. Si pjesë e kësaj pakete, qeveria miratoi vendimin për rritjen e masës së mbulimit të shpenzimeve të paketës së materialeve higjienosanitare në masën 16 mijë lekë në muaj, nga 12 mijë lekë që është aktualisht. Gjithashtu pjesë e ndihmës ndaj tyre është edhe akordimi falas i sasisë prej 80 litra naftë në muaj, e barabartë me sasinë që u akordohet deputetëve të Kuvendit. Berisha tha se qeveria e konsideron të drejtë kërkesën e tyre që personi kujdestar të gëzojë sigurimin shoqëror dhe ofron për këta persona pensionin bazë minimal të qytetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›