E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango, 100 vota pro shkarkimit ministror

13/03/2009  Kuvendi miraton dekretet

Kuvendi miratoi dje gjatë seancës plenare me 100 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim dekretin e Presidentit të Republikës për shkarkimin e Ylli Pangos nga posti i ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërkohë emërimi i Ardian Turkut në këtë detyrë është miratuar me 72 votat e mazhorancës, 26 vota kundër të opozitës dhe një abstenim. Pas miratimit nga Kuvendi të kandidaturës, Turku merr zyrtarisht detyrën e ministrit të Turizmit, post i mbetur vakant që pas shkarkimit të Ylli Pangos. Ky i fundit u shkarkua nga posti ministror rreth një javë më parë, pas shfaqjes në një televizion të disa pamjeve filmike, ku ai shfaqej duke abuzuar me detyrën shtetërore në rastet e punësimit të njerëzve në Ministrinë e Turizmit. Menjëherë pas këtyre pamjeve, Kryeministri Sali Berisha vendosi shkarkimin e Pangos, vendim që i është komunikuar ish-ministrit përmes telefonit. Megjithëse pamjet filmike janë konsideruar nga Pango si një montaturë e mirfilltë, kreu i qeverisë i ka komunikuar shkarkimin në më pak se 4 minuta nga momenti i shfaqjes së sekuencave filmike. Në një kohë rekord vendimi i Kryeministrit Berisha është dekretuar nga Presidenti Bamir Topi, i cili gjithashtu në më pak se tre ditë ka dekretuar edhe emërimin e Ardian Turkut në postin ministror. Turku, i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Këshillit të Qarkut të Elbasanit ka qenë për 4 vjet (2003-2007) Kryetar i Bashkisë në këtë qytet. Gjithashtu figura e Turkut është vlerësuar nga Kryetari i Shtetit, që e ka konsideruar si një emër me integritet të lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›