E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza e hetimit të krimit, dosja “Fatmir Xhindi” pa autor

23/12/2009  Kuliqi: Këtë vit kemi pak vrasje
TIRANE- Përtej deklaratave të njëpasnjëshme të ish-ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, se vrasja e deputetit Fatmir Xhindi është zbardhur, një gjë e tillë nuk rezulton të jetë e vërtetët, pasi dosja që ka lidhje me ngjarjen e 2 majit 2009 në Roskovec në statistikat e Drejtorisë së Hetimit të Krimit rezulton e pazbardhur. Të paktën kështu u deklarua gjatë zhvillimit të analizës vjetore të kësaj drejtorie, e cila rendiste dosjen e Fatmir Xhindit në 9 çështjet e pazbardhura të kësaj strukture. Vetë drejtuesi i kësaj zyre, njëkohësisht edhe zv/drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliqi, është shprehur se po zhvillohen shumë veprime hetimore në këtë drejtim, por deri tani uniformat blu ende nuk kanë mundur të gjejnë provat konkrete për të akuzuar njeri. Ndërkohë Kuliqi, bëri një rezyme të plotë për sa i përket veprave penale me natyrë kriminale si vrasjet dhe krimeve kundër personit. Sipas tij, gjatë vitit 2009 janë evidentuar gjithsej 79 vrasje, ndërkohë që 70 prej tyre janë zbuluar dhe 9 ende vazhdojnë të mbeten pa autor. Një ndër prioritet e kësaj drejtorie ka qenë edhe lufta kundër lëndëve narkotike, ku sipas Agron Kuliqit për vitin 2009 janë goditur 31 grupe kriminale të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike me 119 persona të proceduar. Lidhur me këtë drejtim janë organizuar 26 operacione duke zbatuar teknikat speciale të hetimit, ku 10 prej tyre kanë qenë operacione ndërkombëtare. Kuliqi tha se tepër vëmendje i është kushtuar edhe trafikut të qenieve njerëzore si dhe prostitucionit, ku për këtë të fundit janë shënuar vetëm 7 raste. Arritje, sipas Kuliqit, është bërë edhe për sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit financiar, ku vetëm këtë vit janë evidentuar 1610 vepra penale. Lidhur me këtë drejtim ai theksoi se brenda një viti i është hequr imuniteti, dy gjyqtarëve dhe një Prokuroria të Tiranës. Ndërkaq në analizimin e punës së kësaj drejtori, morën pjesë ministri i Brendshëm Lulzim Basha, drejtori Hysni Burgaj, Prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela, si dhe punonjës të tjerë që shërbejnë për hetimin e krimit pranë kësaj drejtorie.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›