E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritol shtyllës së tensionit të lartë, asnjë i arrestuar nga uniformat blu

23/12/2009  Ekspertët fillojnë riparimin e dëmeve të shkaktuara
TIRANE- Persona të paidentifikuar i kanë vënë një sasi të konsiderueshme tritoli një shtylle të tensionit të lartë, duke tentuar ta rrëzojnë në tokë atë. Ngjarja që herë pas here ka ndodhur në zonën veriore të vendit, këtë herë është shënuar në fshatin Prezë të Tiranës. Linja e tensionit 220 kilovot lidhte hidrocentralin e Komanit me stacionin elektrik të Elbasanit. Shpërthimi ka dëmtuar rëndë një pjesë të shtyllës po fatmirësisht nuk ka mundur ta rrëzojë atë, pasi do të ndikonte në mbetjen pa energji elektrike të disa qyteteve në jug të vendit. Burime pranë policisë së kryeqytetit bënë me dije se shpërthimi shumë i fortë është dëgjuar deri në Fushë-Krujë dhe ka shkaktuar dëme në banesat pranë linjës. Lidhur me ngjarjen policia ka marrë njoftim në orët e para të mëngjesit, ku menjëherë ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbuluar autorët e kësaj vepre të rëndë. Aktualisht mësohet se janë shoqëruar disa persona që dyshohet se mund të kenë ndjeni në lidhje me shpërthimin, por asnjëri prej tyre nuk është arrestuar nga policia. Ndërkohë që ekipet e emergjencës janë duke punuar për të riparuar dëmtimin e shkaktuar nga eksplozivi. Shpërthimi nuk ka ndodhur direkt në tokë, por në një lartësi prej 8 metrash. Kjo tregon se për vendosjen e tritolit autorët kanë hipur në shtyllë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›