E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza falas në klinikën lëvizëse Vital Truck

 

“Më mirë të parandalosh një sëmundje sesa ta kurosh atë”. Kjo është motoja me të cilën ka nisur rrugëtimin nëpër qytetet më të mëdha të Shqipërisë klinika e lëvizshme Vital Truck. Vjen për herë të parë në vendin tonë prej SIGAL UNIQA Group AUSTRIA. Kamioni i stërmadh është përshtatur me teknologjinë më të avancuar për të ofruar një gamë të gjerë analizash. Gjithçka do të jetë falas për këdo, që është i interesuar dhe do të jenë mjekët austriakë ata që do të mbikëqyrin këto ekzaminime. “Vital Truck-Kamioni i Jetës është një klinikë mjekësore e lëvizshme, e pajisur me disa pajisje, të cilat do të mundësojnë ekzaminimin dhe diagnostikimin falas të gjendjes shëndetësore të një pjese të popullsisë në qytetet kryesore të Shqipërisë. Ekzaminimi në VitalTruck është mënyra më e shpejtë dhe e saktë për t’u informuar për pikat e forta dhe të dobëta të fizikut në varësi të moshës dhe ritmit të jetës së përditshme. Ekzaminime të tilla vënë theksin në rëndësinë që ka kontrolli parandalues në diagnostikimin e sëmundjeve të mundshme në fazën fillestare dhe trajtimin më efektiv të tyre”, sqaron Avni Ponari. Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA. Ai shton se së bashku me Vital Truck, SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA ka sjellë një staf  specialistësh austriakë, të cilët do të mbikëqyrin të gjitha ekzaminimet dhe do të japin të këshillat për një jetë më të shëndetshme për të gjithë ata që do të ekzaminohen. SIPAS Ponarit testimi në këtë Klinikë Lëvizëse do të fillojë me  mbledhjen e të dhënave mjekësore individuale në lidhje me faktorët e riskut si dhe sëmundjet aktuale. Më pas, mjekët specialistë do t’u shoqërojnë në kryerjen e ekzaminimeve si: EKG qetësie (elektrokardiograme), Kontroll kardiovaskular, matja e shtresës dhjamore të trupit, matja ekzakte e indeksit të dhjamit trupor bëhet përmes një aparature me rreze infra të kuqe. Gjithashtu, do të mundësohet testi i lëvizshmërisë, i cili identifikon kufizimet e lëvizshmërisë dhe kontraksionet muskulore të mundshme. Një tjetër test është koordinimi dhe balanca, me këtë test ekzaminohen aftësitë e lëvizjes, si edhe aftësitë stabilizuese të artikulacioneve të gjunjëve dhe legenit. Veç tyre edhe një sërë analizash të tjera. “Në fund të ekzaminimeve, mjekët specialistë mundësojnë këshillim individual, me sugjerimet përkatëse për përmirësimin e aktivitetit tuaj fizik gjatë ditës”, thotë Ponari. Ai sqaron edhe arsyet pse kjo klinikë ka ardhur në vendin tonë. “Vital Truck Tour Albania” është pjesë e përkujdesjes dhe vizionit të kompanisë në drejtim të mirëqenies së klientëve të saj dhe në emër të një shëndeti më të mirë. Nëpërmjet organizimit të këtij aktiviteti, synimi ynë është që të nxitet dhe të ndërgjegjësohen kategoritë e ndryshme të popullsisë për domosdoshmërinë e kontrollit periodik të gjendjes shëndetësore, për të parandaluar përkeqësimin e tij apo për të evituar diagnostikimin e sëmundjeve në fazën ekstreme”, shprehet Ponari. VitalTruck do të lëvizë nëpër Shqipëri, duke filluar nga Tirana për të vazhduar në Vlorë, në Fier, në Shkodër dhe në Durrës. “Ne shqiptarëve në përgjithësi na mungon kultura individuale për një kontroll mjekësor parandalues. Ne i drejtohemi spitalit vetëm kur kemi shqetësime dhe akoma më keq siç më thoshte dikush, kemi frikë të kontrollohemi se mos do na dalë gjë. Por më mire të zbulosh një sëmundje se sa të të ketë shkatërruar sistemet. Çdo automjet është i detyruar të kalojë dy herë në vit në kontroll teknik, po ne çfarë duhet të bëjmë? Natyrisht që duhet të shikojmë nga vetja, të jemi të kujdesshëm dhe parandalues, ky është mesazhi që duam të përcjellim dhe vendosja e kësaj klinike në qendrat e qyteteve ka pikërisht këtë mision: Më mirë të parandalosh një sëmundje sesa ta kurosh atë!”, theksoi Ponari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›