E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrave,shtohen 3 raste,të prekurit shkojnë në 34 vetë

 

Shkon në 34 numri i të prekurve nga gripi i derrave. Instituti i Shëndetit Publik njofton se janë konfirmuar 3 raste të reja me virusin A/H1N1. Përgjigjet e analizave erdhën dje nga Rumania. Rastet në fjalë janë dy qytetarë nga Berati dhe një nga Tirana. Të tre këta persona kanë qenë të shtruar në spital dhe janë trajtuar me tamiflu. Nga sa pohojnë specialistët e ISHP-së këta persona që i përkasin moshës nga 19 deri në 51 vjeç janë shëruar tashmë dhe janë larguar nga spitali. Ndërkaq, priten përgjigjet e analizave për 200 mostra, të cilat janë dërguar në laboratorin e Bukureshtit. Rastet me virusin A/H1N1 pritet të shtohen gjatë muajit tetor për shkak edhe të gripit të zakonshëm në këtë periudhë. Për këtë arsye, mjekët këshillojnë qytetarët që të vaksinohen ndaj gripit të thjeshtë për të qenë të mbrojtur të paktën nga njëri virus. Kjo vaksinë tashmë prej një javë ndodhet në pjesën më të madhe të farmacive. Por ndryshe nga vitet e tjera ka qenë tepër e vështirë të sigurohet. Kjo pasi në tregun botëror kërkesat kanë qenë tepër të larta. Por gjithsesi bizneset private kanë mundur të sjellin sasitë e para.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›