“Shëndetësia po përpëlitet nga apatia dhe paaftësia”
Zirina Llambro
Shëndetësia shqiptarë po përpëlitët në një gjendje apatie. Këtë e di mirë çdo qytetar që drejtohet në spital dhe merr një shërbim që lë për të dëshiruar.Por paaftësinë shumë-vjeçare për të përmirësuar situatën e ka pranuar dje edhe ministri i ri i Shëndetësisë. Sipas tij, sistemi ka nevojë për ndërhyrje emergjente dhe skema për të kthyer ritmin e munguar është gati. “Nga gjërat kryesore që duhet të ndryshojmë në shëndetësi, sipas mendimit tim, është ritmi i zgjidhjes së problemeve. Të eliminohet njëherë e përgjithmonë zvarritja. Apatia dhe paaftësia në menaxhimin e situatës bën që të mungojnë disa shërbime të cilat janë prezente dhe që qytetarët të indinjohen e të zemërohen shpesh herë, me të drejtë”, tha dje Vasili. Ai nënvizoi se sistemi ka humbur ritmin dhe ndërkohë që ka një dëshirë për të bërë reforma, por më parë ato duhet të paraprihen nga disiplinimi i sistemit. “Duhet të zgjerojmë gjithmonë e më shumë bazën e të siguruarve. Shqiptarët duhet ta heqin nga mendja se duke mos paguar para, do të mund të përfitojnë shërbime shëndetësore, aq më shumë gratis” theksoi ministri. Ai shprehu bindjen se në këtë mandat ekziston vullneti i duhur politik për të reformuar sistemin shëndetësor. “Mendoj se do të arrijmë të ndërhyjmë aty ku duhet dhe ashtu siç duhet. Ka ardhur koha që shëndetësia të ketë një fytyrë të re. Në do të bëjmë maksimumin për t’ia arritur këtij qëllimi”, tha Vasili. Reforma të thella priten sidomos në spitalet më të mëdha të vendit. Ministri i ri ka premtuar ndërhyrje edhe në infrastrukturë. Ndërkaq, kur të gjitha organizatat e njohura shëndetësore japin alarmin e shtimit të rasteve të A/H1N1, ministri i Shëndetësisë i bën thirrje popullsisë të mos largojë vëmendjen nga virozat e tjera gripale, duke vazhduar rregullisht vaksinimin. Ai ka shtuar gjithashtu se Shqipëria do të sigurojë vaksinën kundër gripit të derrave. Ekzistojnë të gjitha mekanizmat që vendi ynë të mos jetë jashtë skemës së vendeve që do të marrin këtë medikament. Sipas planit të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik grupet në risk do të jenë ato që do ta marrin falas vaksinën kundër gripit të derrave. Gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë dhe fëmijët janë kategoritë kryesore.