E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi sulm gjyqësorit: Të rritet kontrolli

 

Armand Bajrami

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ashpërsoi tonet ndaj sistemit gjyqësor duke kërkuar mekanizma më të fortë kontrolli ndaj gjyqtarëve në mbledhjen e djeshme të KLD-së.
 Në funksionin e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, presidenti, kërkoi nga sistemi gjyqësor vendosmëri, fortësi dhe korrektesë për të gjitha çështje me ndjeshmëri të lartë publike. Pasi prezantoi ministrin e ri në postin e kreut të Ministrisë së Drejtësisë, Bujar Nishani, presidenti Topi ritheksoi nevojën e bashkëpuminit të KLD-së me Ministrinë e Drejtësisë, veçanërisht bashkëpunimit të Inspektoratit të KLD-së dhe Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me kontrollin e punës së gjykatave. Kreu i shtetit apeloi ndaj “njerëzve të gjyqësorit” të shmangen nga çdo tentativë për ndikime të njëanshme në proceset gjyqësore. Në të njëjtën frymë “kritike” ishte dje edhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ai nënvizoi problematikat të gjyqësorit, si zvarritja e proceseve gjyqësore edhe rreziku i tejkalimit të afateve të paraburgimit për të akuzuarit e këtyre proceseve. Në mbledhjen e djeshme, KLD-ja diskutoi mbi nevojën e një inspektimi të posatshëm ndaj gjyqtarëve, për të kontrolluar rregullsinë e proceseve të zhvilluara prej tyre.
Kritikat e Presidentit
Presidenti Topi kërkoi dje kontroll rigoroz të togave të zeza që kanë “në dorë” shqyrtime të dosjeve “VIP”, të botës së krimit për të siguruar transparencë dhe siguri në publik. “Të punojmë së bashku për një kontroll rigoroz të të gjithë trupave gjyqësore që sot kanë çështje shumë të rëndësishme, me personazhe shumë të rëndësishëm të botës së krimit për të parë transparencën e verifikimit dhe transparencën e gjyqit, për të qenë korrekt me publikun, korrekt me njerëzit që kërkojnë drejtësi, korrekt me njerëzit që i kanë sytë te drejtësia”, u shpreh Presidenti Topi në mbledhjen e KLD-së. Sipas tij, deformimi i qëllimshëm i proceseve gjyqësore përmes ndërhyrjeve paraqet një problem serioz. “Po bëj një thirrje që nëpërmjet jush, t’u adresohet të gjithë punonjësve që punojnë qoftë në sistemin e prokurorisë, qoftë në sistemin e gjykatave, që të hedhin poshtë çdo lloj tentative për influenca, ku disa persona marrin dhe rolin e sekserëve duke përdorur dhe emra individësh që mund të jenë në pushtet!”, tha më tej Topi. Sipas tij, këto raste duhen denoncuar në rrugë zyrtare përndryshe “KLD-ja për çdo rast, do të marrë vendime shumë të rrepta dhe gjithë gjykatësit, edhe për prokurorët në vendet që merren me çështjet e prokurorisë, për të gjithë ata persona që deformojnë proceset në favor të gjykimeve subjektive dhe interesave ekonomike të dikujt”.
Akuzat e SPAHIUT
Nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu “shënjestroi” dje problematikat në sistemit gjyqësor, duke iu referuar disa proceseve penale. Duke u shprehur për zgjatjet e proceseve, sipas tij të pajustifikueshme dhe joligjore, në gjykimin e çështjeve Spahiu tha se ato rrezikojnë seriozisht lirimin e personave që akuzohet për vepra të rënda, për shkak të skadimit të afateve të paraburgimit. Gjithashtu nënkryetari i KLD-së cilësoi si të patolerueshme faktin që në sistemin gjyqësor vihen re “trajtim me dy standarde i çështjeve të ngjashme”. Ndërsa Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, pranoi dje bashkëpunim me KLD-në duke pohuar se “bashkëpunimi në drejtësi duhet të konsolidohet më tej”.

Vendimet e KLD-së

-Shpalljen e tri vendeve vakante në gjykatat e Apelit Durrës dhe Vlorë, si dhe shtatë vende vakante pranë Gjykatës së Apelit Tiranë
- Nis zbatimi i organikës së re, përcaktuar me Dekretin Nr.6265 Datë 16.9.2009 të Presidentit të Republikës ‘Për caktimin e numrit të gjyqtarëve për çdo gjykatë të shkallës së parë dhe të Apelit’
- Miratohet metodologjia e plotësimit të vendeve vakante që do të krijohen në gjykatat e shkallës së parë në bazë të efekteve të Dekretit, duke vlerësuar si në përputhje me ligjin, transferimin pa pëlqim të gjyqtarëve për efekt të nevojave të riorganizimit të sistemit gjyqësor
- Përcaktimin e kritereve për lëvizjen e gjyqtarëve me procedurën e mësipërme të transferimit duke i dhënë prioritet: rritjes së cilësisë së gjykimit
- Emërohen 5 inspektorë pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Vende bosh në Durrës, Vlorë e Tiranë

Në mbledhjen e djeshme u vendosën vendet vakante në gjykata të ndryshme të vendit. Mësohet se u shpall vakant posti drejtues i kryetarit të gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës, për shkak se kreu aktual, gjyqtari Ervin Metalla, përfundon mandatin e tij në 11 nëntor 2009. Ndërkohë që KLD vendosi dje shpalljen e tre vendeve vakante për secilën nga gjykatat e Apelit Durrës dhe Vlorë, si dhe shtatë vende vakante pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Gjithashtu KLD, referuar dekretimit të organikave të reja të gjykatave nga presidenti i Republikës më 16 shtator vendosi dje  metodologjinë e plotësimit të vendeve vakante që do të krijohen në gjykatat e shkallës së parë në bazë të efekteve të Dekretit, duke vlerësuar si në përputhje me ligjin, transferimin pa pëlqim të gjyqtarëve për efekt të nevojave të riorganizimit të sistemit gjyqësor.

Të bëhen gjyqe pa ndërprerë

Një nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Neshat Fana, e cilësoi dje të papranueshme situatën e krijuar për disa procese në Gjykatën për Krimet e Rënda. Sipas tij, për të “shkrirë” situatën duhet të përdoret modeli i gjykimit të pandërprerë. “Gjykatat shqiptare kanë hequr dorë nga një parim i detyrueshëm, që është gjykimi i pandërprerë. Një gjykim fillon sot dhe nëse nuk mbaron sot në orën katër duhet të fillojë nesër në orën tetë të mëngjesit”, tha Fana. “Të gjithë e dimë që Gjykata për Krimet e Rënda nuk ka ngarkesë”, pohoi Fana, duke e parë të pashpjegueshme që shpesh herë koha mes seancave caktohet dy javë. Mungesa e avokatëve ka çuar në zvarritje të disa prej proceseve më të rëndësishme në vend, përfshi ato të bandave kriminale të vitit 1997, apo gjyqin për ngjarjen e Gërdecit. 

Inspektim për gjithë gjykatat

I propozuar nga nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, dhe i diskutuar më pas gjatë punimeve të mbledhjes, KLD-ja shtroi dje nevojën e një inspektimi të posaçëm të gjyqtarëve. Mësohet se me anë të këtij inspektimi do të kontrollohet rregullsia e procesit ligjor në ato çështje gjyqësore penale, ku akuza lidhet me vepra penale me kriminalitet të lartë dhe raste që kanë sensibilizuar dhe opinionin publik. “Rëndësia e një inspektimi të mundshëm u diskutua në prizmin e bashkëpunimit midis Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe atij të Ministrisë së Drejtësisë, referuar veçanërisht disa proceseve penale, kohëzgjatja e të cilave rrezikon afatet e paraburgimit, si dhe trajtimit të diferencuar të rasteve analoge nga gjykatat”, pohuan dje burime zyrtare të KLD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›