E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza me grupin hetimor, Ina Rama në Fier



Kryeprokurorja Ina Rama, sërish në Fier mesditën e djeshme për të marrë pjesë në analizën e punës së bërë deri tani nga grupi hetimor për zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Fakti konfirmohet nga burime të besueshme pranë organit qendror të akuzës, të cilat bëjnë të ditur se në orët e pasdites në Prokurorinë e Fierit do të zhvillohet analiza e punës së bërë deri tani nga grupi hetimor. Kreut të akuzës, Kryeprokurores Rama, do t’i raportohet puna e bërë deri tani dhe deri ku kanë shkuar hetimet, si dhe identifikimi i ndonjë piste të mundshme ku mund të kanalizohen hetimit. Megjithatë, askush nuk flet nga grupi hetimor mbi çfarë është arritur nga hetimet disaditore, për shkak të urdhrit të eprorëve se çdo gjë duhet mbajtur sekret deri në përcaktimin e një pistë konkrete dhe identitetit të saktë të autorit. Lidhur me këtë çështje, pak pas ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit midis disa institucioneve për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit ekonomik, Prokurorja e Përgjithshme deklaroi se po punohet maksimalisht nga gjithë grupi i angazhuar për zbardhjen e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Gjatë prononcimit për median, znj. Rama nuk ka preferuar të japë më tepër detaje rreth hetimit, duke u shprehur se “strukturat përkatëse të vëna në dispozicion po punojnë me përkushtim për të zbardhur ngjarjen”. E pyetur për pistat e hetimit, ajo nuk ka pranuar të thotë gjë, duke deklaruar prerë se “nuk mund t'ju them asnjë pistë”. Të njëjtën përgjigje që në fakt ka dhënë edhe drejtori i policisë, Prençi, gjatë një interviste televizive dhënë mbrëmë. Ai bëri me dije rrethanat në të cilat është kryer vrasja, një ekzekutim pas shpine me breshëri, nga një distancë e afërt. Deklaroi se për hetimin po punon një grup prej 100 vetash dhe se deri tani janë mbledhur shumë dëshmi të nevojshme për hetimin. Deputeti i PS-së, Fatmir Xhindi, u vra të shtunën, në banesën e tij në Roskovec, pak para se të hynte në shtëpi. Deri dje, ende nuk ka pasur asnjë pistë të deklaruar nga policia dhe asnjë autor zyrtarisht të dyshuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›