E Diel, 1 Nëntor 2026

Çekia, qeverisë: Mos u tërhiqni nga ligji i lustracionit



Çekia i kërkon Shqipërisë që të mos tërhiqet nga procesi i lustracionit deri në pastrimin e plotë të politikës në vend. Kjo është bindja e patjetërsueshme e shprehur dje në Tiranë nga ministri për Zhvillim Rajonal të Çekisë, Cyril Svoboda, gjatë takimeve që zhvilloi me Kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Zyrtari i lartë i Çekisë e quan të domosdoshëm zbatimin e ligjit të lustracionit për ta bërë demokracinë më të fortë. Z. Svoboda i bëri të ditur z. Berisha se demokracitë duhet të tregohen të forta në mbrojtjen e vlerave të tyre dhe për këtë arsye ligji i lustracionit është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ta bërë demokracinë të fortë. Por ministri çek inkurajoi dje në mënyrë të veçantë ministrin e Drejtësisë, Alibeaj, për zbatimin e ligjit, duke i bërë të qartë se zbatimi nuk do të ndikojë negativisht në integrimin e Shqipërisë. Duke përmendur përvojën çeke në këtë drejtim, z. Svoboda pohoi në Tiranë se qeveria nuk duhet të tërhiqet nga zërat që e kundërshtojnë ligjin. Ministri për Zhvillimin Rajonal të Republikës Çeke, z. Cyril Svoboda, i cili shoqërohej në këtë takim nga ambasadorja çeke, Marketa Fialkova, u shpreh se vendi i tij i ka mirëpritur ndryshimet në ligjin për pastrimin e figurave politike. “Unë besoj se vendi juaj do të ecë përpara me reformat dhe është shumë e rëndësishme që ligji i lustracionit të kalojë provën e tij në Gjykatën Kushtetuese. Sipas përvojës sonë, ky ligj nuk ndëshkon, por ky ligj parandalon administratën të bjerë pre e shantazheve. Për të funksionuar demokracia është shumë e rëndësishme që çdo person të jetë i lirë që askush të mos i drejtojë askujt gishtin për ato që ka bërë në të shkuarën”, - tha ministri çek, z. Svoboda. Ai vuri në dukje: “Në fund të fundit, ky ligj është i domosdoshëm për Shqipërinë, ashtu siç ishte edhe për vendin tonë ku edhe pas rishikimit nga Komisioni i Venecias, më në fund të gjithë ranë dakord për rëndësinë e tij”. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u shpreh entuziast për zbatimin e këtij ligji, duke pohuar se kësaj nisme sa politike po aq edhe ligjore do t’í shkohet deri në fund, së pari, për arsye dinjiteti. “Është në dinjitetin e shoqërisë sonë, e cila pretendon të bëhet pjesë e demokracisë evropiane, që të mos hyjë në BE me hipokrizi, duke mohuar çfarë ka ndodhur për 50 vjet. Jemi munduar që me këtë ligj të jemi të matur, të frenuar dhe jo hakmarrës, të arrijmë një ndërthurje mes statusit aktual të garancive kushtetuese me atë të kufizimit të të drejtave që ajo memorie historike duhet të sjellë”, - tha z. Alibeaj. Më pas ai i shprehu bashkëbiseduesit të tij mirënjohjen për mbështetjen që Republika Çeke ka dhënë për të ecur përpara me miratimin e këtij ligji shumë të rëndësishëm që Shqipërisë, si një vend ish-komunist, i nevojitet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›