E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, në pranga dy persona, vidhnin lekë në komunë



Policia e Gjirokastrës ka arrestuar dy persona, të cilët akuzohen për vjedhjen e parave në arkat e komunave. Specialistët dhe Agjentët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, organizuan operacionin “Kasaforta”, ku vunë në pranga Sali Goxhajn dhe Erion Strokan. Sipas policisë, ndalimi i tyre u krye pasi të dy këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në datën 05.05.2009, gjatë orëve të natës kanë vjedhur me thyerje arkën e Komunës Kurvelesh të rrethit Tepelenë, ku kanë marrë kasafortën në të cilën ndodheshin 3.5 milionë lekë të vjetra, lekët e invalidëve dhe të asistencës sociale, si dhe disa dokumente të tjera dhe e kanë fshehur në vendin e quajtur Ura e Kozicës në afërsi të fshatit Nivicë.

Më pas janë larguar në drejtim të qytetit Tepelenë, për të marrë mjete më të forta për hapjen e kasafortës, pasi nuk e kishin hapur dot. Nga informacionet e marra në rrugë operative u bë e mundur kapja e tyre së bashku me automjetin tip “Benz”, me targa SR 46 79 B, në vendin e quajtur kthesa e fshatit Bënçë.

Nga puna profesionale e bërë nga specialistët e këtij sektori, si dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë e mundur gjetja e kasafortës dhe sekuestrimi i lekëve dhe i sendeve të tjera. Gjithashtu u dokumentua me prova ligjore se këta shtetas në datën 03.04.2009, gjatë orëve të natës, kanë vjedhur me thyerje kasafortën e Komunës Picar të rrethit Gjirokastër, ku kanë marrë një shumë prej 6.8 milionë lekë të vjetra. Me këto lekë kanë blerë automjetin tip “Benz” me targa SR 4679 B dhe pjesën tjetër e kanë darë me njëri-tjetrin, duke i shpenzuar në lokale nate. Nga ana e tyre u kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale, si dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale automjeti tip “Benz”, 5 aparate celularë, katër leva hekuri, të cilat shërbenin për hapjen e kasafortave, si dhe kasaforta e Komunës Kurvelesh së bashku me 3.5 milionë lekë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›