E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, kapen tre shqiptarë me 50 kg heroinë



Policia italiane arrestoi tre emigrantë shqiptarë dhe sekuestroi 50 kg heroinë, e cila pritej të shitej për në tregun e Italisë Veriore. Në prangat e karabinierëve ranë bosi i bandës, Çlirim Goroshijani, 38 vjeç, Sokol Qaja dhe Mirvjen Aliu, të dy nga 25 vjeç. Operacioni i policisë filloi pas lëvizjeve të dyshimta që ata panë në një banesë në katin e poshtëm në rrugën “Valsugana”. Për më tepër që aty ndihej një erë e çuditshme, e cila bëri që karabinierët menjëherë të mësynin në banesë. Kur ata janë futur, kanë gjetur të tre shqiptarët, të cilët ishin duke përgatitur drogën për t’u shitur. Sipas policisë, 38-vjeçari ishte drejtuesi i grupit, ndërsa dy 25-vjeçarët merreshin me përgatitjen e saj për t’u hedhur në treg. 38-vjeçari shqiptar kishte precedentë penalë, pasi ai ishte dënuar edhe më parë nga drejtësia për drogë. Nga kontrolli i kryer nga policia u gjetën 50 kg heroinë, 1 kg kokainë dhe rreth 100 kg substancë e nevojshme për prerjen (përgatitjen e drogës dhe bërjen gati për t’u hedhur në treg). Ndërkohë që gjatë një kontrolli në një banesë që përdorej nga Goroshijani, u gjetën edhe 36 mijë euro. Shqiptarët u arrestuan në një apartament në rrugën “Valsugana” në zonën Scalo të Porta Romana-s. Gjithashtu, gjatë kontrolli u gjetën dhe u sekuestruan peshore dhe materiale që shërbenin për ndarjen dhe përgatitjen në doza të heroinës. Një pjesë e banesës ishte përshtatur si laborator për përgatitjen e heroinës. Kur kanë hyrë brenda, karabinierët kanë parë tre persona me dorashka dhe maska në fytyrë, që po merreshin me përgatitjen e drogës. Për më tepër që muret, tavani dhe dyshemeja ishin zbardhur nga pluhuri i paracetamolit dhe kafeinës (substanca që shërbejnë për prerjen), që bashkë me heroinën kishin bërë që të ishte e pamundur të thithje ajrin në dhomë. Sipas policisë italiane, heroina e sekuestruar ka një princip aktiv që varion nga 60 deri në 16 për qind dhe ishte e ndarë në pako me nga gjysmë kilogrami, të mbështjella me letra me ngjyra, nga ato që përdoren nga trafikantët për të mbështjellë kokainën.

Nga numri i ambalazheve të gjetura në banesë, të përdorura, hetuesit dyshojnë se në këtë apartament janë lënë në një vit qindra kg heroinë. Dyshohet se banda mund të ketë një rol kryesor në të gjithë veriun e Italisë në trafikun e drogës. Megjithatë, do të jenë hetimet ato që do të tregojnë për aktivitetin e plotë të bandës. Tre shqiptarët e arrestuar janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit në pritje për të dalë përpara gjykatës, për të marrë masën e arrestit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›