Analiza/Slogani i PD “Përpara” - slogani i PS, e kundërta: “Përmbrapa”!
Slogani elektoral i Partisë Demokratike,“Ne jemi ndryshimi, Përpara!” po gjen një pëlqim në opinionin publik sepse bazohet në thelb në arritjet e maxhorancës dhe premtimet e mbajtura të kryeministrit Berisha.
“Ne jemi ndryshimi – Përpara” ka kuptim kur sjell në mendje anëtarësimin në NATO apo liberalizimin e vizave, lirinë ekonomike për hapjen e biznesit, ndërtimin me ritme të larta të infrastrukturës rrugore e digjitale që lidhën kombin, rritjes në miliona të numrit të turistëve, liberalizmin e tregut të energjisë, etj. Mbajtja e ritmit vjetor të rritjes rreth 3 për qind të PPB-së, ishte një sukses i rëndësishëm që mundësoi rritjen progresive të rrogave dhe pensioneve nga viti në vit, ndërkohë që fqinjët tanë të mëdhenj, me gjithë mbështetjen e Bashkimit Europian, po kalamenden. Mandati i dytë i PD ka qenë konsolidimi i reformave dhe vijim i projekteve të mëdha, ndaj ecja përpara në këtë rrugë për të ndryshuar Shqipërinë perceptohet si një gjë pozitive. Kjo gjë është mirëpritur nga qytetarët, veçanërisht kur bëjmë analogji me dy mandatet e qeverisjes së Partisë Socialiste. Në mandatin e dytë, socialistët nuk bënë absolutisht asgjë. Vendi iu nënshtrua produktit të luftërave të brendshme në Partinë Socialiste, dhe çështjet e PS-së u bënë mandej çështje të të gjithë vendit. Nëse do të bëjmë një krahasim dy mandateve të dy qeverisjeve, vërejmë që praktikisht nuk ka analogji. Kjo gjë po vështirëson ngjitjen e sloganit elektoral të PS, “Rilindje e Shqipërisë”.
Nënvetëdija qytetare e percepton sipërmarrjen politike të Edi Ramës si të rrezikshme. Slogani i Partisë Socialiste “Rilindja e Shqipërisë” maskon synimin për të përmbysur rregullat e tregut të lirë duke rikthyer ndërhyrjen e shtetit në xhepat e qytetarëve dhe bizneseve me taksën progresive. Këtë qytetarët e kanë kuptuar fort mirë. Rama kërkon të eksperimentojë në ekonomi me heqjen e taksave dhe të fikë motorin e zhvillimit ekonomik që u sprovua i suksesshëm edhe para krizës edhe përgjatë saj.
Në sajë të këtij modeli zhvillimi ekonomik vendi i rezistoi mirë presionit të krizës ekonomike që preku dy vende fqinje, Italinë dhe Greqinë, të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në eksportet dhe remitancat shqiptare. Këto katër vite qeverisje të kryeministrit Berisha kanë qenë kapërcimi i standardit të mirëqeverisjes, që bënë të mundur heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që lëvizin të lirë në Europë. Këto katër vite të opozitës do të shënjohen në pengimin e pa principtë të marrjes së Statusit të vendit Kandidat. Opozita gjatë këtyre 4 viteve ka qenë obstruksioniste që nga mospranimi dhe bojkotimi i Parlamentit, kërkesa për hapje kutish, grevë urie, ushtrim dhune, sulm ndaj institucioneve e deri në grushtin e shtetit të 21 janarit.
Slogani i PS, është e kundërta e ecjes përpara në procesit integruese, të miratimit të ligjeve që s’janë të rëndësishme veç për BE-në, por në radhë të parë për qytetarët shqiptarë që kur dëgjojnë kreun e opozitës të deklarojë se “nuk do të ulim pagat”, kanë sinjalin që Rama nuk do të rrisë pagat dhe pensionet. Dhe jo se nuk do, por mbi të gjitha se nuk di sesi ta bëjë këtë gjë realitet.