Fokus/Rama urren Policinë, në 100 vjetorin e saj e quan “jo dinjitoze”
Në 100 vjetorin e Policisë së Shtetit, kreu i Partisë Socialiste u përpoq të ishte “normal”, duke e quajtur policinë jo dinjitoze.
Sipas një sondazhi të bërë nga PS dhe prezantuar nga Edi Rama, “72 për qind e shqiptarëve thonë se gjendja e kriminalitetit dhe pasigurisë në vend është shumë e keqe dhe e keqe”.
Edi Rama në konferencën për shtyp me gazetarët deklaroi se, “kur PS-ja të vijë në pushtet do t`i kthejë dinjitetin policisë”.
Koncepti për Policinë e Shtetit për kreun e PS si duket qenka ajo Policisë bashkiake kur qeveristë kryeqytetin, ku uniforma ishte një armë selektive për gjoba dhe pjesëmarrje në protestat e opozitës. Duhet thënë se kreu i opozitës ka një problem permanent me Policinë e Shtetit pas 2009, fiks pas fillimit të protestave, të bllokimit të akseve rrugore dhe të bllokimit të bulevardit duke rënduar më tej trafikun e kryeqytetit.
Kulmi i goditjes së policisë së shtetit nga eksponentë të PS erdhi me 21 janar të 2011, ku u sulmuan barbarisht mbrojtësit e institucioneve në një orvatje politike për të përmbushur rendin kushtetues. Më 21 janar 2011, një rrugaç i ardhur në demonstratën e dhunshme të organizuar nga Partia Socialiste e flaku si leckë, e përdori si armë, flamurin kombëtar në tentativën për të goditur forcat e policisë së shtetit. Këta të fundit, njëri prej tyre, polici Amarildo Yzeiri e kapi flamurin e përdhosur duke e mbrojtur me trupin e tij, me një gjest sa fisnik aq dhe emblematik që meriton sadopak respekt. Gjesti i atij djali të zakonshëm me uniformë mbetet frymëzues, jo vetëm për nderimin e shenjës së respektit për simbolet që mishërojnë vlerat më të larta e fisnike të një kombit, por dhe sublimin me një gjest të thjeshtë të forcës së mbrojtjes së shtetit të së drejtës dhe lirisë.
Në demonstratën e 21 janarit u plagosën qindra policë nga protestues të organizuar nga PS-ja, e cila mohoi të kishte organizuar protestues me agjendë radikale. Paskëtaj dite asnjë deputet i PS nuk ka bërë qoftë një deklaratë solidarizuese për efektivët blu, madje i kanë etiketuar me gjithfarësoj epitetesh.
Me këtë sipërmarrje kreu i PS e ka nëpërkëmbur shumë herë dinjitetin e Policisë së Shtetit. Ai gjatë 2012 udhëhoqi një fushatë denigruese për punën e Policisë së Shtetit duke shpërndarë panik falas nëpër televizione. Edi Rama deklaronte se policia e kishte humbur luftën me krimin, ndërsa policia po luftonte krimin, duke përhapur një disfatizëm të panevojshëm. Edi Rama mund të kënaqet me hartimet negative që i shkruajnë këshilltarët apo sugjeruesit më të afërt, për të cilët politika denigruese është efikase për të fituar zgjedhjet.
Megjithatë kreun i opozitës duhet të kuptojë se Policia e Shtetit ka nevojë për mbështetje të përgjegjshme për të bërë më mirë punën kundër krimit ordiner dhe të organizuar, korrupsionit apo shkeljeve të ligjit. Kuptohet vetiu është vonë për të ndryshuar staturën morale dhe etike të një politikani që ka 13 vjet në zhvlerësim të punës së të tjerëve.