“Hapa konkretë për linjën e fluturimit mes Tiranës, Podgoricës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”

Ministri i Jashtëm Panariti takon kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanovic
Në kuadrin e punimeve të Sesionit të Tretë të Asamblesë së Përgjithshme të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë, (IRENA) që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Malit të Zi, zotin Milo Gjukanovic.
Ministri Panariti, pasi i përcolli kryeministrit Gjukanovic përshëndetjet e Kryeministrit Sali Berisha dhe të kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, zotit Ilir Meta, i shprehu edhe një herë vullnetin e qeverisë shqiptare për të rritur dhe forcuar edhe më tej bashkëpunimin me qeverinë e Malit të Zi në të gjithë fushat me interes të ndërsjellët.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve duke e vlerësuar atë si një model të bashkëpunimit dypalësh për të gjithë rajonin si dhe shtruan nevojën për thellimin e tij në drejtim të procesit të integrimit ne Bashkimin Europian duke u ndalur vecanërisht në realizimin e projekteve të përbashkëta në fusha konkrete si; infrastruktura, energjia, mjedisi, turizmi etj.
Ministri Panariti, theksoi gjithashtu rëndësinë e konkretizimit të marrëdhënieve duke plotësuar bazën ligjore të bashkëpunimit përmes nënshkrimit të disa marrëveshjeve, konkretisht marrëveshjes në fushën e arsimit si dhe atë të njohjes reciproke të lejeve të drejtimit.
Gjithashtu ministri Panariti propozoi gjithashtu ndërmarrjen e hapave konkrete për negocimin dhe nënshkrimin e një marrëveshje për vendosjen e linjës së fluturimit mes Tiranës, Podgoricës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila do të nxiste kontaktet ndërmjet tre vendeve dhe do të krijonte mundësitë për rritjen e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe investimet reciproke.
Në përfundim Ministri Panariti I transmetoi Kryeministrit të Malit të Zi ftesën e Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me kenaqësi.