“Kreu i PS-së frikë nga denoncimi para drejtësisë amerikane”
Deklarata/PD: Barjaba është në dijeni të aferave të Ramës, “Rama nuk mund të shkëputet nga Barjaba, jo vetëm se e shoqja ka ndarë shuma marramendëse me të, por sepse Kosta Barjaba mund të denoncojë para drejtësisë amerikane Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama për pallatin në pajë të Lindita Bashës, firmat e tij të paligjshme dhe burimet e financimit të këtij pallati që me shumë gjasë janë larje parash nga z. Rama”. Kështu u shpreh dje Partia Demokratike lidhur me pasuritë e kreut të PS, Edi Rama dhe marrëdhënies së tij me sekretarin e tij, Kosta Barjaba. Zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi bëri me dije se Barjaba nuk është përjashtuar nga funksionet e PS. “Rama, mashtroi Shqiptarët kur një javë më parë deklaroi se do të pezullojë Kosta Barjabën nga funksionet e tij nga Partia Socialiste. Në të vërtetë, po i rikujtojmë Kryetarit Edi Rama, gjestin e Kosta Barjabës, vjedhjes dhe arrestimin e tij në Nordstrom të Palo Altos, të cilin e quajti thjesht një xhest të papranueshëm si cenim të pronës private, në shumën prej 238 dollarë. Ndërkohë z. Rama heshti dje për pallatin e bashkëshortes së tij të ndërtuar në lulishten në sheshin midis pallateve me firmën dhe vulën e tij nga znj. Lindita Basha, investim ky prej rreth 2 milionë eurosh nga dy familjarë, njëri pensionist dhe tjetri i vetëpunësuar. Z. Rama nuk ka dhënë asnjë shpjegim për personin që ka marrë apo ka dhënë 100 milionë lekë, të deklaruara nga znj. Basha në ILDKP, për të cilat nuk thuhet asnjë fjalë, burimi tyre, tatimi i tyre apo lëvizja në llogari bankare. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, hesht dhe nuk flet, pasi ai nuk del dot nga kthetrat e korrupsionit ku është zhytur”, thuhet në deklaratën e PD. Partia Demokratike thekson se Edi Rama nuk mund të shkëputet nga Kosta Barjaba, jo vetëm se e shoqja ka ndarë shuma marramendëse me të, por sepse Kosta Barjaba mund të denoncojë para drejtësisë amerikane Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama për pallatin në pajë të Lindita Bashës, firmat e tij të paligjshme dhe burimet e financimit të këtij pallati që me shumë gjasë janë larje parash nga z. Rama. “Z. Rama nuk pezullon dot Kosta Barjabën sepse ai di shumë për kredinë pa interes prej 100 milionë lekë të Lindita Bashës dhe origjinën e tyre, prandaj edhe ai njofton të gjithë audiencën socialiste që do të regjistrojë në akademinë politike socialiste deri më datë 20 Janar, se do të kenë për lektor krahas Servet Pëllumbit, Luan Omarit, Alfred Moisiut, Taulant Ballës dhe xhepistin e tij Kosta Barjaba”, përfundon deklarata e PD.
...