Impotenca seksuale, një në 10 meshkuj i prekur
Një në 10 meshkuj vuan nga impotenca seksuale. Shefi i shërbimit të Urologjisë, Mustafa Xhani, deklaron se statistikat janë të krahasueshme me vendet e Evropës, por, sipas tij, më shqetësues është fakti se rreth 80 për qind e këtyre personave nuk kërkojnë ndihmë mjekësore të specializuar.
Të dhënat
Për shkak të numrit të lartë të të prekurve nga ky çrregullim, Shqipëria krahasohet me vendet e Evropës. Shefi i shërbimit të Urologjisë, Mustafa Xhani, thotë se shkak i përhapjes së kësaj sëmundjeje është mosnjohja dhe mos kurimi në kohë. Sensibilizimi i shoqërisë për problemet dhe pasojat që shkakton çrregullimi i ereksionit ka qenë tema kryesore e komunikimit të shefit të Shërbimit Urologjik, Mustafa Xhani, në kuadër të Javës së Urologjisë. Sipas profesor Xhanit, një në dhjetë meshkuj në Evropë, përfshi këtu edhe Shqipërinë, vuan nga impotenca seksuale.
“Sipas statistikave evropiane, 1 në 10 meshkuj që ka jetë seksuale aktive, vuan nga impotenca seksuale, por ajo që është shqetësuese, është se 80% e këtyre njerëzve që vuajnë nga çrregullimet e ereksionit, nuk kërkojnë ndihmë”, - thekson Xhani. Për sa u përket sëmundjeve të prostatës, profesor Xhani thotë se kanceri i këtij organi ka vdekshmëri shumë të lartë, ndonëse në Shqipëri ende nuk ka statistika të sakta për vdekshmërinë. Sipas tij, sensibilizimi i shoqërisë dhe parandalimi në kohë i sëmundjes do t’i shërbente shumë popullatës. “Ne ende nuk kemi statistika të mira, por në Evropë, kanceri i prostatës është i dyti pas atij të mushkërive që shkakton vdekje. 10% e burrave që vuajnë nga kjo sëmundje i nënshtrohen mjekimit. Për fat të keq, tek ne të sëmurët vijnë shumë vonë. E gjithë strategjia jonë është që t’i paraprijmë”, - u shpreh profesor Xhani. Kanceri i prostatës zë vendin e dytë në Evropë, pas atij të mushkërive, për sa i takon vdekshmërisë tek meshkujt. Ai është mjaft i shpeshtë pas dekadës së 7-të, pas moshës 70-80-90 vjeç, por, sipas prof. Xhanit: "Çdo burrë mbi moshën 50 vjeç duhet të bëjë një PSA, një antigen që prodhohet nga prostata dhe përcaktohet në gjak".
Sëmundja
Ky çrregullim është dëmtimi që ndodh gjatë ndonjë stadi të ciklit seksual, të cilat pengojnë partnerët të shijojnë kënaqësinë që lind gjatë aktivitetit seksual. Këto mund të lindin në çfarëdo lloj moshe, madje dhe kur më parë personi ka pasur përgjigje normale gjatë aktivitetit seksual; ato mund të shfaqen gradualisht ose menjëherë dhe mund të prekin një stad ose disa stade të aktivitetit seksual. Ndër shkaqet që evidentohen, janë faktorët emocionalë që përfshijnë probleme të të dy partnereve, si p.sh. disharmonia e partneritetit, mungesa e besimit tek partneri apo e komunikimit të hapur midis tyre; kurse faktorët psikikë përfshijnë ato brenda individit, si depresioni, faji apo frika seksuale, traumat post seksit etj.