E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, Kolegji Penal pushon çështjen ndaj Fatmir Mediut



Dështon Prokuroria e Përgjithshme për Fatmir Mediun dhe akuzut ndaj tij për çështjen “Gërdeci”. Kolegji i Bashkuar i Gjykatës së Lartë vendosi mesditën e djeshme pushimin e procesit penal në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, me argumentimin ligjor se ky i fundit është tashmë një deputet dhe automatikisht gëzon imunitet. Por, ky vendim është pritur me reagim të ashpër nga familjarët e viktimave në sallën e gjyqit drejtuar kryetarit të Kolegjit Penal, Besnik Imeraj, të cilët brenda dhe jashtë sallës deklaruan se ka ardhur momenti për vetëgjyqësi. Ndërkohë që ky vendim ka sjellë reagim edhe nga ana e avokatëve të ish-ministrit, të cilët e deklaruan një paaftësi të Prokurorisë së Përgjithshme pushimin e çështjes, pasi ata ishin të gatshëm për një betejë gjyqësore. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i vetë të akuzuarit, Fatmir Mediu, i cili ka kërkuar që gjykimi të vijojë normalisht dhe se nuk e dëshironte një mbyllje të tillë të procesit gjyqësor.

Seanca

Krejt i papërgatitur është gjetur grupi hetimor që mbron akuzën në Gjykatën e Lartë kundër ish-ministrit Fatmir Mediu, në momentin kur avokatët e tij kërkuan pushimin e gjykimit për shkak të fitimit të mandatit të deputetit nga ana e klientit të tyre. Në këtë moment, kreu i grupit hetimor kërkoi një pushim të shkurtër, duke kërkuar më pas rrëzimin e kërkesës së avokatëve, pasi sipas tyre, heqja e imunitetit herën e parë i zgjat efektet edhe përgjatë këtij mandati dhe se imunitetin Mediut ia kthen vetëm një vendim pafajësie nga ana e Kolegjit Penal. Pas deklarimeve të prokurorit Sokol Stojani, Kolegji Penal u tërhoq për vendim, i cili u shpall pas dy orësh. “I pandehuri Fatmir Mediu është zgjedhur deputet i legjislaturës së re. Kjo rrethanë nuk lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij për aq kohë sa nuk ka një autorizim për ndjekje penale të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë, pas marrjes prej tij të mandatit të deputetit”, - është shprehur me vendim Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtari Imeraj. Ky moment solli acarim të familjarëve të 26 viktimave kundër gjyqtarëve, avokatëve dhe vetë ish-ministrit Mediu.

Kërkesat

Ashtu siç edhe ishte parashikuar para pushimeve verore, seanca në ngarkim të ish-ministrit Mediu filloi në orën 10:00. Të pranishëm në seancë kanë qenë prokurorët e grupit hetimor, avokatët e z. Fatmir Mediu, familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, avokatët që mbrojnë interesat e tyre, si dhe media dhe të huaj që monitorojnë proceset gjyqësore. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, avokati mbrojtës i Fatmir Mediut, Ardian Visha, i ka paraqitur Kolegjit të Bashkuar të kryesuar nga gjyqtari Besnik Imeraj pezullimin e procesit, duke paraqitur si provë mandatin e deputetit të fituar më 7 shtator të këtij viti, si deputet i Partisë Republikane. “Ky mandat i siguron Mediut imunitetin, për këtë arsye procesi gjyqësor në ngarkim të Mediut nuk mund të vazhdojë. Nuk mund të vazhdojë procedimi gjyqësor në ngarkim të një personi që gëzon imunitetit”, - u shpreh dje avokati Visha para gjykatës. Por, prokurorët kanë reaguar, fillimisht duke kërkuar kohë për t’iu përgjigjur kësaj kërkese dhe më pas duke kërkuar rrëzimin e saj me argumentin se “kërkesa e mbrojtjes është e pabazuar në ligj”. Sipas prokurorit Stojani, imuniteti i kthehet Mediut vetëm me vendim pafajësie nga gjykata.

Vendimi

Pas pretendimeve të të dyja palëve, Kolegji i Bashkuar është tërhequr për të marrë vendimin e tij. Pas dy orësh në dhomën e këshillimit, u vendos pranimi i kërkesës së mbrojtësit të Fatmir Mediut dhe pushimi i çështjes në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes. “Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi mbrojtësit e të pandehurit Fatmir Mediu, që pretenduan faktin e zgjedhjes deputet të të mbrojturit prej tyre, fakt që sipas tyre kushtëzon vazhdimin e ndjekjes penale dhe përfaqësuesit e organit të akuzës që kërkuan vazhdimin e gjykimit, vërejtën se në bazë të vendimit nr. 602, dt. 01.08.2009 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se i pandehuri Fatmir Mediu është zgjedhur deputet i legjislaturës së 18-të të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo rrethanë nuk lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij për aq sa nuk ka një autorizim për ndjekje penale të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë mbas marrjes prej tij të mandatit të deputetit. Për këto arsye, mbështetur në nenin 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenet 290/e dhe 387/1 të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vendosi: Pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mund të vazhdojë”, - u shpreh dje në vendimin e saj Gjykata e Lartë.

Avokati Visha: Procesi duhet të vazhdonte

Pas përfundimit të procesit gjyqësor, ka reaguar edhe avokati mbrojtës i Fatmir Mediut, Ardian Visha, i cili u shpreh se dëshironte që procesi të vazhdonte deri në përfundim, në mënyrë të tillë që Mediu të fitonte pafajësinë e tij. “Si avokat do të preferoja një betejë gjyqësore me prokurorët, por nuk pata fat, pasi prokurorët ishin të paaftë”, - deklaroi dje Ardian Visha.

Familjarët e viktimave: Do të ketë vetëgjyqësi

Të irrituar në sallën e gjyqit dhe jashtë saj, familjarët kërcënojnë për vetëgjyqësi. Ata janë shprehur se ky vendim i Kolegjit Penal për ta është njësoj si një vrasje e dytë. Tepër e indinjuar nga vendimi, nëna e njërit prej fëmijëve viktimë të tragjedisë së 15 marsit 2008, deklaroi: “Nuk po vendoset drejtësi për vdekjen jonatyrore të djalit tim. S’e kuptoj pse nuk ngrihen këta njerëz? Pse nuk kërkojnë të drejtën për fëmijët e tyre, lëre timin? Unë do vazhdoj të kërkoj të drejtën time. Dua një përgjigje, përse fëmija ime nuk jeton? Nuk ia fal Mediut a kujtdo qoftë gjakun e fëmijës. Ai sot duhet të shkonte në shkollë, por nuk është. Do kaloj në vetëgjyqësi, do bëhem kamikaze", - shprehet Zamira Durda në përfundim të gjyqit, ku Kolegji Penal vendosi për pushimin e gjykimit ndaj deputetit Mediu.

Tragjedia e Gërdecit, Kolegji Penal vendosi ndarjen e dosjes

Gjykimi ndaj Mediut nisi pak muaj pas tragjedisë së rëndë të Gërdecit. Dosja voluminoze u dërgua në Gjykatën e Lartë më 14 mars të këtij viti, ku në bankën e të akuzuarve ishin 30 persona. Pas tri seancave gjykimi, dosja është ndarë në tri pjesë nga ana e Kolegjit Penal, i cili mbajti për shqyrtim vetëm dosjen e ish-ministrit, kjo për shkak të kompetencave që kishte Gjykata e Lartë. Ndërkohë që dosja me 29 të pandehur të tjerë, mes tyre ish-ushtarakë, është duke u gjykuar në Gjykatën e Tiranës. Ngjarja për të cilën u akuzua ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ndodhi më 15 mars të vitit të kaluar ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Për këtë ngjarje Prokuroria e Përgjithshme ngriti akuzat e “shpërdorimit të detyrës” kryer dy herë, një herë si ish-ministër dhe një herë si ushtarak, ndaj Fatmir Mediut, si dhe “favorizim në tendera”.

Detaje

15 mars 2008 ishte dita kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë

30 ishin të pandehurit e akuzuar për këtë çështjes, zyrtarë e ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe Delijorgji e Minxholli

7 muaj zgjati procesi gjyqësor në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu

Vendimi i Gjykatës së Lartë për të lënë jashtë tragjedisë së “Gërdecit” ministrin Fatmir Mediu ka pasuar me reagimin e familjarëve të viktimave të cilët kanë qenë sot në gjykatë. E irrituar për vendimin e gjykatës ka qenë Zamira Durda, nëna e vogëlushit 7-vjeçar, Edison Durda, i cili humbi jetën më 15 mars të vitit 2008 në Gërdec. “Sot na vranë për të dytën herë”, - është shprehur pas vendimit të gjykatës, Zamira Durda. E irrituar ajo ka kërkuar një përgjigje se përse fëmija i saj nuk jeton më, ndërsa ka quajtur të pafalshme vendimin e gjykatës për të pushuar çështjen e Mediut, duke kërcënuar deri në vetëgjyqësi. “Do të bëj vetëgjyqësi, do të bëhem kamikaze”, - është shprehur para mediave Durda, e irrituar nga dhimbja që i shkaktoi Gjykata e Lartë. “Dua një përgjigje përse fëmija im nuk shkon sot në klasë të tretë, kur është edhe dita e parë e shkollës”, - shprehet me dhimbje nëna e 7-vjeçarit, i cili humbi jetën kur ndodhej në klasën e parë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›