E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama ndihmon abuzivisht ortakun e tij”

22/12/2009  Ligjvënësi demokrat Gerti Bogdani akuzon për korrupsion në Bashki
Sipas tij, paradoksi i radhës është pista e akullit në qendër të Tiranës
Deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani ka deklaruar se Bashkia e Tiranës, një institucion i zhytur në korrupsionin që rrjedh nga përfitimet për interesa të ngushta personale. “Paradoksi kësaj radhe ndahet nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit në qendër të Tiranës. Kemi një dokument të Bashkisë së Tiranës i datuar më 2004-n, ku jep vlerësimin e çmimit për hotelin Dajti në vlerën 1500 euro metri katror. Kemi një vendim të Bashkisë së Tiranës të vitit 2005, një vit më mbrapa, ku jep vlerësimin për pronën tek Tajvani, përballë ish-hotelit Dajti, me një vlerë prej 12 mijë lekë metri katror, ose 97 euro”, - ka deklaruar ligjvënësi demokrat. Sipas tij, diferenca në këtë rast është 1403 euro. Ai i ka kërkuar kreut të Bashkisë së Tiranës arsyen e kësaj diference të madhe dhe se ku kanë shkuar paratë. “Pse kjo diferencë për të njëjtin truall që ndahet vetëm nga bulevardi? Apo sepse në njërin krah ndihmohet abuzivisht në mënyrë të korruptuar ortaku, partneri i tij”, - tha Bogdani. Megjithatë, deputeti i PD-së theksoi se korrupsioni i Bashkisë vazhdon edhe me produktet për festimet e fundvitit. “Ky është paradoksi i radhës së Bashkisë së Tiranës dhe do të thosha që së fundi shoqërohet nga një paradoks tjetër, për të cilin i ftoj qytetarët e Tiranës të shkojnë ta vizitojnë të famshmen pistë akulli që Bashkia e reklamoi me të madhe se do ta ndërtonte për festat e Vitin të Ri, sepse kam përshtypjen se Bashkia e Tiranës përveçse Ginesit të korrupsionit ka thyer dhe një Gines tjetër, që është pista më e vogël e akullit në botë”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›