Ndërtimet e paligjshme, INUK merr kompetencat e vendorëve
22/12/2009 Qeveria propozon ndryshimin e ligjit “Për inspektimin e ndërtimeve”
Në kohën kur konfliktet mes qeverisë dhe bashkisë së Tiranës për ndërtime të vlerësuara prej saj të paligjshme janë të acaruara, ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, i propozon Kuvendit të Shqipërisë për miratim projektin që synon të zgjerojë përgjegjësitë e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Aktualisht përgjegjësitë për të sjellë rregull në territoret që i administron pushteti vendon i ka ky i fundit. Në relacionin e projektit qeveria sqaron se me këto shtesa dhe ndryshime nuk synohet cenimi i garancive ligjore që gëzojnë organet e qeverisjes vendore për menaxhimin dhe planifikimin e territorit, por që të reduktohen drejt kufirit maksimal rastet e ndërtimeve të kundërligjshme në territoret vendore. “Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka të drejtë të ushtrojë përgjegjësitë e inspektoratit ndërtimor e urbanistik të bashkisë, komunës apo qarkut kur në objektin e inspektimit nuk ka filluar apo nuk është në proces një inspektim nga inspektorati vendor dhe është administruar dokumentacioni i plotë shkresor, që provon përveç kundërligjshmërisë së ndërtimit të paktën edhe njërën nga rrethanat si më poshtë: inspektorati ndërtimor e urbanistik i bashkisë, komunës apo qarkut nuk e ka inspektuar këtë territor ose nuk është shprehur me vendim për këtë ndërtim; vendimi i tij për prishje të ndërtimit të kundërligjshëm nuk është ekzekutuar; kur subjektet qendrore, që gëzojnë të drejta të ligjshme për pronën publike ose shtetërore të zënë nga ndërtime të kundërligjshme, kërkojnë rikthimin e ligjshmërisë”, - përcakton projektligji. Po ashtu projekti legjitimon INUK-ja të ushtrojë inspektim periodik, të paktën një herë në vit në çdo mjedis me rëndësi kombëtare të vënë në dispozicion të të tretëve nga shteti shqiptar në bazë të marrëveshjeve koncesionare apo shtetërore. Vendimet e INUK-së mund të ankimohen, por ai nuk pezullon ekzekutimin e tij, përshirë edhe prishjen e ndërtimit. Nëse paditësi fiton betejën me shtetin, i dëmtuari ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar nga INUK-ja. Risi e këtij projekti është edhe që gjobat e vëna nga INUK-u në kundërshtim me përcaktimet e këtij projekti përbëjnë titull ekzekutiv dhe ngarkohet shërbimi përmbarimor për zbatimin tyre. Në rastet kur Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar nuk ka mundësi të arkëtojë një gjobë përveçse me mënyrën e zakonshme të njohur nga ligji, veprimet e këtij inspektorati për ndëshkimin e kundërvajtësit mbeten në fakt ushtrim përgjegjësish të një karakteri deklarativ dhe gjoba humbet qëllimin e parashikuar, ndëshkimin administrativ të kundërvajtësit. Dispozita e fundit e projektit përcakton një afat 6-mujor për INUK-un për krijimin e regjistrit të të dhënave për ndërtimet në mjedise të caktuara. Projektligji nuk shoqërohet me kosto financiare shtesë dhe sipas ministrit Olldashi është në përputhje me ligjet në fuqi dhe programet e qeverisë.