E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengesë për Shqipërinë ishte cilësia e dokumenteve

22/12/2009  Zëvendëskryeministri Ilir Meta flet për liberalizmin e vizave
“Nevojitet kontributi real i opozitës për integrimin”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka deklaruar dje i bindur se gjatë vitit të ardhshëm Bashkimi Europian do të heqë vizat për qytetarët shqiptarë. Për numrin dy të qeverisë pothuajse të gjitha standardet dhe kërkesat e udhërrëfyesit të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave janë realizuar nga ana e qeverisë dhe institucioneve shqiptare. Meta u është përgjigjur edhe qëndrimeve të eksponentëve të Partisë Socialiste, të cilët kanë bërë përgjegjëse qeverinë për mungesën e liberalizimit të vizave, sikundër ndodhi me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi. Ai ka theksuar se opozita spekulon me këto vlerësime. “Dihet se për arsye tepër konkrete, të cilat kanë të bëjnë edhe me trashëgiminë administrative, me cilësinë e dokumenteve të sigurisë, pra dihet që këto tri vende që më parë e kishin marrë një miratim në parim dhe kuptohet që ishin në një fazë më të avancuar se Shqipëria. Shqipëria në kohën kur u mor vendimi për këto vende nuk kishte prodhuar asnjë pasaportë biometrike, dhe pa pasaporta biometrike nuk mund të lëvizë askush në mënyrë të lirë në hapësirën ‘Shengen’ të Bashkimit Europian”, - tha Meta. Sipas tij, opozita është krejtësisht e pasinqertë, “Është më e dobishme që opozita, në vend që të derdhë lot krokodili për këtë gjoja mosarritje, të bashkohet me përpjekjet e të gjithëve ne, të gjithë shqiptarëve, në mënyrë që ky proces të ecë me ritme më të shpejta”, - tha shefi i diplomacisë. Meta kërkoi që opozita të japë kontributin e saj konstruktiv në procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të integrimit evropian të vendit. I pyetur në lidhje me situatën aktuale politike dhe nevojën për dialog, ministri Meta tha se për të ndërmarrë një gjë të tillë duhen dy palë. “Ne dëshirojmë dhe shpresojmë që të ketë një reflektim nga ana e lidershipit të PS-së, pasi kontributi që kjo forcë politike dhe opozita mund të japë për integrimin e vendit nuk është në rrugë”, - tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›