Anastas Angjeli: Buxheti 2010, kujdes me krizën
Buxheti i vitit 2010, miratuar këtë javë nga Parlamenti do të jetë prova e madhe e qeverisë shqiptare përpara sfidave të ngritura më së shumti nga kriza ekonomike. Ish-ministër Financash dhe Ekonomie në qeverisjen e socialistëve, aktualisht ekspert që njeh mirë problematikat, Anastas Angjeli, evidenton disa çështja që duhet të ishin marrë në konsideratë nga qeveria demokrate e Berishës. Sipas tij, buxheti 2010, është thjesht një korrigjim i buxhetit të këtij viti. Angjeli thotë se në buxhetin e ri duhet të ishin parashikuar më shumë fonde për disa nga sektorët që pikërisht qeveria i ka quajtur prioritarë, siç janë shëndetësia dhe arsimi. "Duhet të ishte bërë më shumë për financimin e institucioneve te pavarura, për vazhdimin dhe thellimin e reformave në shëndetësi dhe arsim, sidomos në arsimin e lartë tani që pritet të ketë ndryshime në mënyrën e financimit dhe të politikave fiskale për ta nxitur më tej zhvillimin e arsimit publik dhe jo publik", u shpreh Angjeli. Sipas tij, hartimi i buxheti të vitit të ardhshëm duhet të ishe hartuar duke marrë parasysh edhe ndodhitë e vitit 2009 dhe pasojat që kriza i solli ekonomisë sonë.