E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet numri i mungesave në shkolla, kopshte e çerdhe

Në shkollat 9-vjeçare, kopshte dhe çerdhe mungesat për shkak të gripit po rriten nga java në javë. Të gjitha shkollat, kopshtet e çerdhet dërgojnë në mënyrë periodike në Drejtoritë Arsimore mungesat e nxënësve për shkak të gripit. Nga java në javë mungesat e nxënëse po shtohen, ndërsa më problematike sipas mësuesve mbeten mungesat në orarin e paradites. Ulja e temperaturave, tipike për orët e para të mëngjesit janë edhe "favorizuese" për shtimin e të prekurve nga virozat e stinës. Fluks më i ulët mungesash raportohet për nxënësit që zakonisht ndjekin oraret e pasdites. Çerdhet dhe kopshtet kanë edhe më shumë mungesa se shkollat 9-vjeçare. Sipas informacionit të grumbulluar, mesatarisht në një shkollë mungojnë 10 për qind e nxënësve vetëm për shkak të gripit. Sakaq, mjekët e autorizuar për të bërë kontrolle, ndjekin situatën e përhapjes së gripit në shkolla. Sipas mësuesve, mjekët në bashkëpunim me mësuesit, kanë bërë dhe orë këshillimi lidhur me simptomat e gripit, udhëzime për të pasur higjienë dhe për të mbajtur sa më të fortë sistemin imunitar. Sakaq, në shkolla janë ngjitur postera, si dhe janë shpërndarë fletëpalosje lidhur me situatën e gripit, shenjat, simptomat, masat që duhet të merren në rast se fëmijët kanë probleme shëndetësore apo shfaqin shenja të gripit të zakonshëm apo AH1N1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›