E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viroza e stinës, preken 16 mijë shqiptarë

Nga java në javë po shtohet numri i të prekurve nga gripi i derrit, ndërkohë që po shumëfishohet me ritme të larta edhe numri i personave të prekur nga gripi i zakonshëm. Instituti i Shëndetit Publik, departamenti i epidemiologjisë, raporton se javën e fundit janë prekur nga gripi i zakonshëm rreth 16 mijë persona. Tri javë më parë shifrat ishin 14 mijë, dy javë më parë 15 dhe këtë javë raportohen edhe 1 mijë pacientë të tjerë të prekur nga gripi i zakonshëm. Nuk mund të themi se ndodhemi në periudhën e epidemisë, por ndodhemi në pragun e saj.

Fluksi më i madh i pacientëve aktualisht gjendet në poliklinika e qendra shëndetësore. Por rastet më të rënda dhe më të vështira vazhdojnë të trajtohen në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza".

Të prekurit

16 mijë persona janë prekur nga viruset e gripit gjatë kësaj jave. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se jemi në prag të epidemisë dhe viruset kanë prekur më shumë moshat 10 deri në 20 vjeç. Në poliklinikat dhe qendrat shëndetësore në kryeqytet ka një numër të lartë të fëmijëve që paraqiten me bronkopneumoni dhe temperaturë të lartë. Fluksi më i madh i pacientëve janë të arsimit parauniversitar, të fëmijëve të shkollave 9-vjeçare dhe të rinjve gjimnazistë.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik 60 për qind e të sëmurëve janë prekur nga gripi i derrit dhe pjesa tjetër nga gripi stinor.

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme kanë qenë grupi më i prekur nga viruset, vetëm në poliklinikën numër tre në kryeqytet numri i të vizituarve në ditë është mbi 100 pacientë.

Gripi

Vetëm në spitalin "Nënë Tereza" në Tiranë, çdo ditë regjistrohen 100 pacientë të rinj, të prekur nga viroza e zakonshme apo gripi i derrit. Në spitalin "Nënë Tereza" javën e fundit janë paraqitur 5 raste të rënda ku katër prej tyre tashmë janë jashtë rrezikut për jetën. 10-15 për qind e rasteve që paraqiten çdo ditë shtrohen. Prej tyre raste të rënda ose shumë të rënda janë një përqindje shumë e vogël 0.2-0.5 për qind. Në Shërbimin e Infektivit është ngritur njësia e emergjencës, dhe të gjithë të prekurit nga gripi i derrit, apo rastet me komplikacione trajtohen pranë kësaj njësie në shërbimin e infektivit. Nga ana tjetër autoritetet shëndetësore sqarojnë se situata nuk bërë ende alarmante dhe fluksi i të prekurve nga gripi i derrit apo ai i zakonshëm do të regjistrohet në muajin shkurt.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›