Korçë, grabitet me dhunë taksisti
Masakrohet me mjete të forta dhe grabitet një taksist. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në periferi të qytetit të Korçës, ndërsa policia ende nuk ka mundur të identifikojë autorët e ngjarjes. Burime nga Komisariati i Korçës bëjnë të ditur se kanë qenë dy të rinj, që pasi kanë pajtuar shoferin e taksisë për një shërbim brenda qytetit, e kanë nxjerrë atë deri në periferi dhe më pas e kanë grabitur dhe goditur në kokë me mjete të forta. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:45 të së premtes, kur Agron Perlati ka qenë duke ushtruar zanatin e tij në qendër të qytetit juglindor. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se taksisti, 60 vjeç, banor i qytetit të Korçës është marrë nga disa të rinj që i kanë kërkuar t‘i çojë në lagjen 4 të qytetit. Vetëm disa minuta pas largimit të tij nga pika e taksive, viktima ka kërkuar ndihmë në telefon, para se të humbte ndjenjat për shkak të plagëve të shumta. Ai është goditur disa herë në pjesën e kokës, duke marrë plagë të mëdha. Ngjarja, sipas policisë, mendohet të ketë ndodhur në orën 19:55 minuta së të premtes. Mësohet se 60-vjeçari është lënë në një rrugicë të pandriçuar në lagjen e re të qytetit me dëmtime të shumta dhe plagë në pjesën e pasme të kokës. Më pas autorët i kanë grabitur paratë që kishte me vete, janë larguar duke i rrëmbyer dhe mjetin e tij taksi, tip "Benz". Ai është gjetur në gjendje të rëndë në lagjen 4 të qytetit, pasi kishte thirrur për ndihmë dhe kishte sinjalizuar policinë lokale. Burime nga kjo e fundit kanë sqaruar se nga hetimet paraprake ka rezultuar se kanë qenë dy të rinj që i kanë kërkuar 60-vjeçarit një shërbim taksi te stacioni ku qëndrojnë taksitë dhe më pas e kanë çuar atë deri në lagjen 4 ku e kanë qëlluar me gurë në kokë dhe i kanë grabitur mjetin dhe një shumë parash që kishte me vete. Policia e ka gjetur makinën e taksistit Agron Perlati në afërsi të unazës së qytetit, kur është vënë në ndjekje të autorëve. Policia thotë se bëhet fjalë për persona të moshave nga 23-25 vjeç që dyshohen si autorë të këtij krimi. Për shkak të plagëve dhe dëmtimeve të rënda në kokë taksisti është transportuar në gjendje kritike për jetën drejt kryeqytetit për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore. Burimet e policisë konfirmojnë se gjendja e 60-vjeçarit është e rëndë, për shkak të frakturave dhe një çarjeje të thellë që ka marrë në pjesën e pasme të kokës. Policia e Korçës ka shoqëruar disa të rinj të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë, por autorët ende nuk janë identifikuar. Sipas policisë bëhet fjalë për dy të rinj si autorë kryesorë që kanë kryer tentativën e vrasjes dhe kanë grabitur taksistin. Në mjetin e 60-vjeçarit të braktisur nga autorët në unazën e qytetit të Korçës është kontaktuar edhe mungesa e kasetofonit.