Ronaldinjo: Milani, stil të ngjashëm futbolli me Barçën
Përmirësimet e Milanit në lojë dhe në rezultate janë të dukshme. Kjo është nënvijëzuar edhe nga Ronaldinjo, i cili ka krahasuar lojën e kuqezinjve me atë të Barcelonës, kampiones së Europës në fuqi. Pas një fillimi të dobët në Serinë A, skuadra e Leonardos ndodhet vetëm dy pikë larg Juventusit të vendit të dytë dhe ka 7 pikë diferencë nga Interi kryesues. Fantazisti brazilian, i cili ishte një prej lojtarëve vendimtarë në fitoren 2-1 me Lacion, tha për "La Gazzetta dello Sport": "Asnjë skuadër tjetër në Itali nuk po luan si Milani, duke rreshtuar tri sulmues në fushë. Kjo e bën mënyrën tonë të lojës mjaft të ngjashme me atë të Barcelonës". Më tej ai shprehu besimin se "Djalli" do të vazhdojë të përmirësohet në javët në vazhdim. "Mendoj se Milani do të përmirësohet edhe më shumë dhe mund të shkojmë larg në aktivitetet ku jemi të impenjuar gjatë këtij sezoni. Skuadrat e tjera duhet të na llogarisin edhe neve dhe të kenë kujdes. Personalisht jam shumë i lumtur: jam në formë dhe e gjithë skuadra po luan mirë", përfundoi Ronaldinjo.