E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo, 50 sfida në Serinë A e 15 pikë më shumë se Juventusi

Me ndeshjen që Interi barazoi 1-1 me Romën, Zhoze Murinjo ka kapur shifrën e 50 ndeshjeve në Serinë A italiane. Paraqitja jo në nivele të larta ndërpreu ecurinë pozitive prej pesë fitoresh radhazi, megjithatë rezultatet e zikaltërve në versionin "portugez" mbeten të jashtëzakonshme: 34 fitore, 11 barazime dhe 5 humbje. Në total skuadra ka grumbulluar 113 pikë, mesatarisht 2.26 pikë për ndeshje! Me Murinjon në krye të stolit, Interi ka fituar 15 pikë më shumë se Juventusi (98 të tilla). Bardhezinjtë renditen të dytët në periudhën e llogaritur, ndërsa më pas vijnë Milani (96 pikë), Fiorentina (89), Xhenoa (88) dhe Roma (78). Nën drejtimin e ish-trajnerit të Çelsit, regjistrohet edhe një tjetër statistikë që konfirmon dominimin e zikaltërve në kampionat: në pesëdhjetë javë, Interi ka qëndruar 40 herë në krye të klasifikimit, ku në 36 javë kanë qenë të vetëm, ndërsa katër herë e ka ndarë vendin e parë me një ekip tjetër. Barazimi i së dielës me Romën nuk mund të shihet si një hap fals, me gjithë faktin që Juve e Milan janë afruar dukshëm në tabelë. Verdhekuqtë janë "macja e zezë" e Interit në "San Siro", ku për herë të fundit kanë dalë të humbur më 13 shkurt 2005. Më pas Roma ka marrë dy fitore dhe tri barazime, ndërkohë që është skuadra e vetme e Serisë A, e cila ka arritur të marrë dy rezultate pozitive në shtëpinë e zikaltërve gjatë vitit 2009 (3-3 në kampionatin e kaluar dhe 1-1 në fundjavën që sapo lamë pas). Në 15 ndeshjet e tjera në shtëpi, milanezët nuk kanë fituar vetëm me Kaljarin (1-1), Torinon (1-1), Palermon (2-2) dhe Barin (1-1). Por, rivaliteti ndërmjet Interit dhe Romës është ndezur edhe pas deklaratave të pasndeshjesh. Murinjo akuzoi gjyqtarin se "fërshëlleu në mbi 50 raste, duke ndërprerë në shumë raste aksionet". Në anën tjetër, Ranieri është kundërpërgjigjur duke thënë se "gjyqtari duhej të kishte vërshëllyer më shumë, pasi kundërshtarët shkaktonin sistematikisht faulle". Jashtë polemikës nuk mbeti as presidenti interist, Morati, i cili tha: "Këto fjalë më duken të çuditshme. Akuza është antipatike, pasi ndeshja nuk ishte e ashpër".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›