Ançeloti: Champions, më mirë se kampionati
04/05/2005 Në prag të ndeshjes së sotme kundër PSV Eindhovenit, trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, pranon: “Finalja e Ligës së Kampioneve është objektivi ynë kryesor, duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse mund të arrijmë diçka me të vërtetë të madhe”. Ançeloti duket mjaft i qetë në prag të gjysmëfinales së kthimit të Ligës së Kampioneve, një ndeshje që do të pasohet nga një tjetër sfidë themelore për sezonin kuqezi, sepse të dielën do të jetë ndeshja me Juventusin. “Jemi shumë të qetë dhe plot besim, si në përballjen e ndeshjes së sotme në Holandë, ashtu edhe për këtë javë me të vërtetë vendimtare. Për sa i përket ndeshjes me PSV Eindhovenin, vlen i njëjti diskutim që bëmë para ndeshjes së kthimit me Interin: duhet të shënojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, vazhdon trajneri kuqezi, i cili komenton edhe kundërshtarin e sotëm: “PSV - ja nuk luan një lojë shumë të shpejtë, por e dimë se do të luajë ndryshe nga ndeshja e parë, do të bëjë më shumë presion që në fillim, por ky mund të jetë një avantazh për ne, sepse ata do të lënë ndonjë hapësirë në mbrojtje dhe mund të përfitojmë. Është një ndeshje tepër e rëndësishme, sepse në lojë është finalja e Ligës së Kampioneve, që është edhe objektivi ynë kryesor”. Pra, Liga e Kampioneve vjen në plan të parë, por edhe lufta për titull me Juventusin është shumë e rëndësishme për kuqezinjtë, siç pranon Ançeloti: “Pas ndeshjes me PSV-në, do të përqëndrohemi te Juventusi, ku duhet të japim akoma më shumë se sa mundemi në këtë moment. Duhet të fitojmë, sepse në këtë mënyrë kemi mundësi të mëdha për të dalë kampionë të Italisë”.