Sheva: Në Eindhoven, asnjë llogari
04/05/2005 Andrij Shevçenko ka ruajtur entuziazmin e një fillestari dhe megjithëse ka fituar gjithçka në karrierë, e pret me shumë emocion gjysmëfinalen e sotme, kundër PSV Eindhovenit. Do të jetë pikërisht bomberi ukrainas, që po kalon një moment të shkëlqyer forme, udhëheqësi i Milanit në dy sfidat vendimtare të kësaj jave, me PSV-në e Juventusin. Vetë Sheva kërkon përqëndrim maksimal nga shokët e tij, pa e logaritur veten si finalistë: “Nuk është e vërtetë që e kemi siguruar finalen. Kundër holandezëve nuk do të jetë aspak e lehtë, sepse me sa pashë në Milano, kemi përballë një skuadër shumë të organizuar dhe të shpejtë”. Megjithatë, ukrainasi nuk mund ta evitojë një batutë për gjysmëfinalen tjetër: “Midis Liverpulit e Çelsit nuk kam ndonjë preferencë të veçantë. Duke parë si po ecin gjërat në kampionatin anglez, dihet që kush do të jetë në finale, do të ketë avantazhin se do të përqëndrohet vetëm te kupa, si ne dy vjet më parë”. Ndonëse të rastësishme, janë fjalë që tregojnë se ky Milan ndihet në finalen e Stambollit. Në fakt, PSV -ja ka avantazhin se mund të mendojë vetëm për Ligën e Kampioneve, ndryshe nga Milani, që ka akoma një kampionat për të fituar kundër Juventusit: “Të dielën do të ndeshemi me Juven. Është një ndeshje që e pres prej kohësh dhe më në fund do të shohim në fushë se cila është skuadra më e fortë”, vazhdon ‘Princi i Kievit’, i cili e mbyll me një dëshirë që e kanë gjithë lojtarët e Milanit: “Secili prej nesh po jep maksimumin, që është e rëndësishme, por unë nuk kënaqem me kaq. Dua të fitoj gjithçka. Do të ishte një ndjenjë e pabesueshme dhe unë kam besim se do t’ia dalim”.