E Hënë, 2 Nëntor 2026

PSV-Milan, përplasja “holandeze”

04/05/2005  Të dyja skuadrat do të zbresin në fushë, me të njëjtën skemë taktike, ku skuadra e Hidink do të shfaqet më sulmuese se kurrë

Sulmuesi i Milanit, Andrij Shevçenko, është rikthyer në formën më të mirë fizike, pikërisht në prag të një sfide tepër të rëndësishme për skuadrën dhe karrierën e tij. Ai ka shënuar golin e parë, në takimin e zhvilluar javën e kaluar në “San Siro”, por edhe sonte në “Filips Stadium”, pritet që bomberi ukrainas të jetë lideri i kuqezinjve. Gjashtë herë kampionët e Evropës kanë marrë rrugën për në Eindhoven, ku pas fitores së arritur në transfertë, kundër Fiorentinës me rezultatin 2-1, pritet një tjetër sukses edhe përballë holandezëve të Gus Hidink. Megjithatë, ajo çfarë të bën më shumë përshtypje në formacionet e të dyja skuadrave është skema taktike, e përdorur si nga Hidink, ashtu edhe nga Ançeloti. Ky i fundit ka përzgjedhur skemën e quajtur ndryshe “pema holandeze”, me të cilën do t’i kundërpërgjigjet me të njëjtën monedhë, rivalëve të PSV-së. Në këtë mënyrë, ky fakt pritet ta bëjë akoma më interesante përballjen mes të dyja skuadrave, pavarësisht se kuqezinjtë zbresin në fushën e blertë, si favorit për të prerë biletën e finales së madhe në Stamboll. Pozicioni aktual i milanistëve vazhdon të mbetet disi i vështirë, pasi ata janë duke luftuar në dy fronte njëkohësisht, si për titullin kampion në Serinë A, edhe për trofeun e Ligës së Kampioneve. Kështu, edhe pse sfida me PSV-n ka një rëndësi të veçantë për djemtë e Ançelotit, nuk mund të harrohet kurrsesi përplasja me Juventusin në fundjavë, ndeshje, të cilën Milani do ta zhvillojë në “San Siro”. Pra, do të jetë skuadra e Hidink, ajo e cila do të niset si inferiore në këtë sfidë, përfshi këtu edhe faktin se për momentin gjenden në dizavantazh me dy gola. Sidoqoftë, Milani mbetet ende e vetmja skuadër, e cila ka mposhtur PSV Eindhoven, në një kompeticion evropian. Në dispozicionin e Karlo Ançelotit do të jetë një formacion i kompletuar me lojtarë, të cilët janë në gjendje të aktivizohen pa probleme në çdo pozicion të fushës. Kështu, mungesa e Nestës në takimin e parë është ndjerë së tepërmi për Milanin, por për sfidën e Eindhovenit, ai do të jetë plotësisht i gatshëm. Ish-lojtari i Lacios do të pozicionohet në qendër të mbrojtjes kuqezi, së bashku me holandezin shtatlart, Jaap Stam. Kjo do të thotë se kapiteni Paolo Maldini do të zhvendoset në krahun e majtë, duke lënë në stol gjeorgjianin Kalaxe. Por, e vetmja dilemë për trajnerin Ançeloti duket se do të jetë aktivizimi i dy sulmuesve apo pozicionimi i një mesfushori të pestë, si portugezi Manuel Rui Kosta. Ndërsa, përkrah Shevçenkos vazhdon akoma balotazhi, Krespo-Tomason, edhe pse argjentinasi prej kohësh ka fituar besimin e Ançelotit. Ndërkaq, për kampin e holandezëve, situata paraqitet paksa e ndërlikuar, ku do të ndihet së tepërmi mungesa e sulmuesit amerikan, Damarkus Bizli, i cili ka pësuar një dëmtim delikat gjatë takimit të zhvilluar në kampionat kundër Tventes. Mbrojtësi Oijer është i skualifikuar, ndërsa Vilfred Bouma vazhdon të jetë në dyshim, pas disa problemesh në shpinë. Sulmuesit Robert dhe Farfan, akoma ndjejnë dhembje në kaviljet e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›