E Hënë, 2 Nëntor 2026

Taksat, sa do paguajnë qytetarët në 2005

04/05/2005  Të gjitha tarifat për të ardhurat që sigurohen nga puna ose llotaria në kaziono

Taksa nuk paguajnë vetëm biznesmenët apo ata që kanë aktivitete të mëdha tregtare dhe prodhuese. ”Taksapagues“ janë të gjithë qytetarët që kanë një bordero ku firmosin, ose që fitojnë para duke ushtruar një profesion apo të drejtën e autorit. Gjithçka që të bën të fitosh para, duhet të tatohet dhe në paketën fiskale të 2005-ës janë të parashikuara të gjitha tarifat e tatimit mbi të ardhurat. Kështu, edhe në rast se shet një tokë dhe merr paratë, kjo e ardhur do të tatohet. Jo vetëm kaq, por kur ke blerë letra me vlerë dhe këto vendos t’ia shesësh ndonjë tjetri, edhe ky proces është i tatueshëm. Sistemi fiskal ndërtohet mbi logjikën, që gjithkush duhet të paguaj një pjesë në arkën e shtetit nga të ardhurat e veta për të ndërtuar një shtet të fortë, i cili më pas do t’i përdorë ato para për të gjithë. Mbështetur te kjo logjikë, duket se paketa fiskale tashmë ka të plotë të gjithë legjislacionin për të tatuar individët. Por duket se kjo nuk ka ndihmuar shumë në rritjen e performancës në mbledhjen e të ardhurave personale, që edhe në 2004-ën rezultoi të ishte një prej zërave më të dobët në gjithë paketën fiskale. Kështu më pak se gjysma e shqiptarëve paguajnë detyrimet e tyre mbi të ardhurat personale dhe duket se shteti është i zoti të mbledhë vetëm ato të ardhura, të cilat janë lehtësisht të kontrollueshme si pagat apo të ardhurat nga aksionet apo qiratë. Tatimi mbi të ardhurat personale, llogaritet mbi të ardhurat që kanë individët, jo vetëm në punë, por dhe jashtë pune. “Tatimi mbi të ardhurat personale aplikohet ndaj çdo të ardhurave të çfarëdo lloj forme, nga çdo burim, e realizuar nga çdo individ, objekt tatimi në bazë të ligjit, me përjashtim të të ardhurave që shprehimisht përjashtohen nga ligji”, sqaron të gjithë individët IDRA, Instituti për Alternativat e Kërkimit dhe Zhvillimit.

Kështu duket se të ardhurat që individët i marrin si rrjedhojë e fitimit nga aksionet që kanë në kompani të ndryshme apo nga qiratë si dhe nga të drejtat e autorit, do të tatohen me 10 për qind në 2005-ën. Por nuk do të kenë këtë fat të ardhurat që vijnë nga llotaritë apo nga lojërat e fatit dhe kazinotë. Kështu, paratë që i ke fituar pa mund në një lojë fati, shteti do t’i tatojë 20 për qind mbi fitimin. Nuk do të shpëtojnë pa u tatuar dhe të ardhurat personale që rrjedhin nga kalimi i të drejtës së pronësisë mbi ndërtesat, që varion nga 0.5 për qind deri në 3 për qind të çmimit të shitjes. Megjithatë gjatë miratimit të paketës fiskale u bë e ditur se kjo taksë do të hynte në fuqi më 1 janar të 2006-ës.

Fitimet, të gjithë duhet t’i deklarojmë

Të ardhurat janë të tatueshme dhe të gjithë duhet t’i deklarojmë ato. Paketa Fiskale e 2005-ës dhe ligji mbi të ardhurat personale detyron të gjithë individët, të punësuar në sektorin publik apo privat, të vetëpunësuar, drejtues dhe administratorë biznesi, të deklarojnë të ardhurat reale të tyre, të cilat më pas kategorizohen sipas tarifave të tatimit. Nuk përjashtohen nga tatimi i të ardhurave personale dhe ato drejtues ndërmarrjesh apo organizatash jofitimprurëse, të cilët i deklarojnë të ardhurat dhe burimin e tyre, pavarësisht nëse ato janë tatuar ose janë të patatueshme sipas dispozitave të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”. Kështu, ligji specifikon që individët duhet t’i deklarojnë të ardhurat e tyre, të cilat nuk janë tatuar në momentin që janë marrë të paktën deri më 30 janar të vitit pasardhës. Individët në pozicionin e tatimpaguesit duhet të bëjnë pagesën e detyrimit në bankë në bazë të dokumentit të lëshuar nga organi tatimor. Kështu çdo individ që realizon të ardhura, pavarësisht nëse ato janë tatuar apo janë të patatueshme, duhet të paraqesë në organin tatimor përkatës deklaratën tatimore integrale për të ardhurat personale të realizuara nga çdo burim jo më vonë se 28 shkurti i vitit pasardhës. Ligji parashikon ndarjen në tri faza për paraqitjen e deklaratës integrale. Të parët duhet të paraqesin të ardhurat e tyre pronarët dhe administratorët e shoqërive tregtare, personat fizikë të regjistruar si subjeke të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, si dhe drejtuesit e ndërmarrjeve shtetërore dhe drejtuesit apo pronarët e fondacioneve apo organizatave jofitimprurëse. Në fazën e dytë, për të ardhurat e realizuara gjatë vitit duhet të paraqesin këtë deklaratë të gjithë punonjësit që gëzojnë statusin e nëpunësit të shërbimit civil duhet të dorëzojnë deklaratat integrale. Ndërsa në fazën e tretë

për të ardhurat e realizuara gjatë vitit 2007 e në vijim, të gjithë të punësuarit e institucioneve buxhetore, të ndërmarrjeve shtetërore apo private, të fondacioneve dhe të vetëpunësuarit apo të punësuarit në subjektet e biznesit të vogël, duhet të dorëzojnë deklaratat integrale.

10 për qind

të ardhurat nga e drejta e autorit

20 për qind

të ardhurat nga llotaritë

0.5 – 3 për qind

të ardhurat nga shitja e pronave

Të ardhurat personale të tatueshme

• Pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet e punës

• Të ardhurat që rrjedhin nga fitimi i ortakut apo i aksionerit

• Të ardhurat nga interesat bankare apo nga letrat me vlerë

• Të ardhurat që rrjedhin nga e drejta e autorit, huaja dhe qiratë

• Të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme

. Të ardhurat e individëve nga lojërat e fatit dhe kazinotë

Përjashtime nga tatimi mbi të ardhurat personale

• Të ardhurat nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore

.Të ardhurat nga ndihmat ekonomike për individët pa të ardhura

• Bursat e nxënësve dhe të studentëve

• Shpërblimet e marra në raste sëmundjesh, fatkeqësish,

• Të ardhurat e përfituara nga shpronësimet

• Të ardhurat që përjashtohen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Nivelet e tarifave të tatimit mbi të ardhurat personale

E Ardhura e Tatuesheme për Muaj Tatimi mbi të Ardhurën Personale

Mbi (në Lekë) Deri (në Lekë) Lekë Përqindje

0 14 000 Pragu përjashtues

14 000 + 40 000 0 + 5 % të shumës mbi 14 000

40 000 + 90 000 1 300 + 10 % të shumës mbi 40 000

90 000 + 200 000 6 300 + 15 % të shumës mbi 90 000

200 000 + 500 000 22 800 + 25 % të shumës mbi 200 000

500 000 + Më tepër 97 800 + 30 % të shumës mbi 500 000

Çmimi i shitjes Tatimi i pagueshëm

Mbi (lekë) Në (lekë) Në përqindje

0 2 000 000 0.5% e çmimit të shitjes

2 000 000 + 4 000 000 1% e çmimit të shitjes

4 000 000 + 6 000 000 2% e çmimit të shitjes

6 000 000 + Më tepër 3% e çmimit të shitjes

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›