E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ançeloti: Dilema është mbrojtja

06/02/2005  

Kjo është dilema e ditës: Do të luajë apo jo Shevçenko? Bomberi është rekuperuar brenda javës nga dëmtimi, por Karlo Ançeloti, nuk ka vendosur akoma që ta fusë në ndeshjen kundër Lacios apo jo. “Është në dispozicion. Në stërvitjen e fundit, përpara ndeshjes do të vendos, nëse do ta fus që nga minuta e parë, apo gjatë ndeshjes”, ka deklaruar trajneri kuqezi në konferencën e shtypit. Tashmë është bërë si një traditë: Sheva shënon përherë kundër Lacios. Por, Ançeloti nuk i beson këtyre gjërave: “Statistikat nuk më interesojnë, thotë Karlo. Do të vendos vetëm në bazë të formës së lojtarit”, ndërsa për sa i përket grumbullimit me Kombëtaren ukrainase, për ndeshjen kundër Shqipërisë, trajneri i Milanit thotë: “Në qoftë se grumbullohet, nuk më shqetëson. Sheva është i disponueshëm dhe është e drejtë që të shkojë”. Ançeloti është shumë i kënaqur, mbi të gjitha, për golat që ka shënuar Krespo dhe Tomason. Për argjentinasin flet shumë mirë dhe shprehet qartë: “Asnjë nuk i ka kërkuar të bëjë 20 gola që të konfirmohet si lojtar i mirë. Është duke luajtur mirë dhe do të luajë akoma dhe më mirë”. Përveç sulmit, duhet të përmendim edhe mbrojtjen, ku më së fundi të gjithë lojtarët janë në dispozicion. “Janë të gjithë mirë. Në qendër do të luajë Maldini dhe Nesta, ndërsa në krah të mbrojtjes nuk e kam vendosur akoma. Stam apo Kafu? Nuk e di…”, konfirmon trajneri kuqezi. Për rotacionin thotë: “Kemi kohë për t'u menduar. Pashë ndeshjen e Djajve të Kuq kundër Arsenalit, ishte një ndeshje e veçantë, ku Mançesteri luajti një pjesë të dytë të mrekullueshme”. Më pas shprehet për kampionatin: Sepse tani, ai është më i rëndësishëm, jemi vetëm pesë pikë larg Juves. “Pas dy humbjeve, nënvizon Ançeloti, me Mesinën bëmë një paraqitje shumë të mirë. Sot, besoj se do të përsërisim ndeshjen e së mërkurës, të paktën për sa i përket kujdesit dhe përqendrimit. Do të përballemi me Lacion, e cila nuk është në gjendje të mirë. Bardhekaltërit kanë lojtarë individualë shumë të mirë, të cilët mund të japim maksimumin, edhe në ditë të vështira. Është një skuadër e veçantë. Ne duhet të harrojmë hapat fals që kemi bërë dhe të mendojmë për më tej. Me Livornon, humbëm dhe nuk reaguam dot, ndërsa me Bolonjën ishim edhe të pafat. Juventusit kundër Sampdorias i ndodhi afërsisht e njëjta gjë”. Më pas shprehet për të ardhmen: “Tani kemi tri ndeshje, në të cilat nuk duhet të humbasim asnjë pikë: Lacio, Rexhina dhe Kaliari. Tri ndeshje, të cilat duhen fituar, në qoftë se pretendojmë për të fituar titullin”. Milani do të zbresë në fushë, duke ditur rezultatin e Palermos. “Sigurisht që për ne do të jetë një stimul më shumë, sepse dimë rezultatin e ndeshjes Palermo-Juve”. Interi vazhdon të besojë akoma? “Interi është duke luajtur mirë dhe kanë arritur të gjejnë ekuilibrin, por besoj se e kanë të vështirë të luftojnë për vendin e parë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›