E Hënë, 2 Nëntor 2026

Teatri i Durrësit, 3 aktorë dhe 6 pastrues e roje

06/02/2005  Aktori i “Aleksandër Moisut”, Xhelal Tafaj, denoncon paradoksin

DURRËS - Prej disa viteve Teatri i Durrësit është përfshirë në një krizë të thellë. Artistët e mbetur në organikën e thjeshtuar kanë kërkuar kthimin në identitet të fizionomisë së këtij teatri, i cili aktualisht ka vetëm tre artistë. Trupa e këtij teatri që mban emrin “Aleksandër Moisiu” deri në fund të viteve 1994 kishte 24 aktorë.

Aktori Xhelal Tafaja, njëri prej veteranëve të mbetur të teatrit të Durrësit, në një intervistë për gazetën “Metropol” e cilëson mungesë vullneti, përpjekjen për ringjalljen e jetës së këtij insititucioni që mban mbi supe 53 vite që nga koha e krijimit.

Si funksionon teatri i Durrësit?

Trupës së teatrit në Durrës i ka mbetur vetëm emri si e tillë. Tatëpjeta e teatrit nisi vite më parë, në kohën e krijimit të qendrave të kulturës. Ethet për të zënë vende drejtuese e degraduan misionin e teatrit, duke e shndërruar atë në një shtojcë të qendrës kulturore. Teatri ka qenë më vete që prej 53 vitesh më parë, por drejtuesit që mendoj se qëllimisht e kanë lënë pas dore e kanë katandisur si mos më keq. Madje, është arritur deri atje saqë të mos thuhet më teatri “Aleksandër Moisiu” por qendra kulturore, apo pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Ju mendoni se ka strategji për të dëmtuar teatrin?

Padyshim. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një lapsus, por për një strategji. Është absurde të deklarosh se ka teatër në Durrës me tre aktorë. Deri në vitin 1994 ishim plotë 24 artistë dhe pasi teatri kaloi në varësinë e qendrës kulturore, shumë aktorë u larguan, të tjerë u nxorën në pension në mënyrën më të paprinciptë. Teatri nuk është institucion më vete, pra mungon organika. Nuk mund të konceptohet se si mbahet në këmbë një trup pa një drejtues, pa regjisor. Në këtë gjendje është edhe

Estrada, Teatri i Kukullave. Që prej tre vitesh në analizat që bëhen për teatrin, por edhe për këto institucione të tjera, shkruhen dhe fliten vetëm tre rreshta. Si mund të thuash që ka teatër me tre artistë dhe gjashtë pastrues e roje.

Sipas jush, çfarë konkretisht nuk shkon?

Këtu absurdet janë nga më të ndryshmet deri dhe te më ogurzeza. Si është e mundur që të detyrohet të dalë në pension regjisori dhe autori Haxhi Rama, “Mjeshër i madh i Punës”? Artisti nuk ka moshë, aq më shumë kur teatri në Durrës përjeton krizën më të rëndë që nga koha e ngritjes së të parës trupë. Përse nuk ftohet,

për të mos thënë përse janë braktisur, V.Heba, Gj.Vlashi, M.Kabashi, Sh.Mushketa e të tjerë regjisorë, aktorë e protagonistë të jetës kulturore në Durrës për të përpiluar strategjinë e daljes nga kriza? Nuk mund dhe nuk do të mund të ketë jetë artistike në Durrës pa një këshill drejtues, pasi vetëm ai përcakton planin e aktiviteteve, kalendarin e veprimtarive, llogarinë e fondeve që duhen për pjesët teatrale dhe i paraqet si domosdoshmëri financimi. Aktualisht, teatri nuk ka një plan pune dhe artistët, të mbetur në udhëkryq, janë detyruar të mbijetojnë përmes punëve të dyta. Shikoni si është katandisur gjendja e kinemave në Durrës. Ato janë kthyer në lokale e klube për lojëra fati e bixhozi. Edhe Estrada në të njëjtën gjendje ndodhet dhe drejtuesit krenohen me koncerte të grupeve të ndryshme që vinë nga rrethet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›