E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Rimëkëmbja e teatrit, rikthimi i tij në origjinë”

06/02/2005  Aktori i Durrësit, sheh edhe rrugë për kapërcimin e gjendjes

Aktori Xhelal Tafaj, me gjithë mllefin, sheh edhe rrugë për daljen nga kjo gjendje.

“Ne ia kemi bërë të ditur edhe kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Lefter Koka. Në të vërtetë na ka dëgjuar më vëmendje dhe presim që idetë tona të fillojnë së zbatuari. Duhet sa më parë riorganizimi”.

Veç këtij organizimi dhe ndihme të bashkisë, Tafaj tërheq vëmendjen edhe për më shumë kujdes e vlerësim për aktorët e Durrësit.

“Në Durrës, për të vënë në skenë një pjesë vinë studentë nga Tirana të sapodalë nga bangat dhe marrin trefishin e pagës sonë, shpërblime, dieta duke rënduar fondet”.

Me këtë deklarim, ai nuk është kundër të rinjve, por se kërkon që struktura dhe organika e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, të jetë sa më e plotë, si simotrat e tij.

“Ne nuk kemi një çift protagonistësh të rinj dhe kemi luajtur role të femrave, pasi nuk ka asnjë femër në teatër e estradë. Ky është paradoks. Tirana, Shkodra, Elbasani, Korça e Vlora kanë institucionin e teatrit më vete. Po ne pse të mos e kemi? Është dashur një jetë e tërë e artistëve N.Xhoja, S.Uruni, V.Uruni, V.Heba, L.Hoxha, M.Burda për të konsoliduar teatrin në Durrës. Po ashtu edhe Estrada me emrat e regjisorëve e artistëve të mëdhenj si Gj.Vlashi, S.Stavri, F.Hasa etj”.

Tafaj, si një ndër të vjetrit e teatrit propozon edhe rrugë të tjera për daljen nga kjo gjendje.

“Fare pak duhet për të rimëkëmbur teatrin. Së pari, teatri duhet të kthehet në origjinë, që do të thotë të njihet si institucion më vete dhe të emërohet një përgjegjës, siç e ka biblioteka apo muzeu. Ky përgjegjës, që nuk ka pse të përgjigjet para njerëzve që nuk e njohin funksionimin e teatrit, do të caktojë regjisorin, i cili, më pas, do të grumbullojë artistët. Me ngritjen e këshillit drejtues gjërat do të ndryshojnë shumë shpejt dhe për të rinisur jeta e teatrit do të duhen më së shumti edhe katër aktorë, pra gjithsej 7 artistë. Infrastruktura është, prapavija e teatrit është, mungon vetëm starategjia”, përfundon Tafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›