E Diel, 1 Nëntor 2026

Ançeloti: Do na shihni në Stamboll!

18/05/2005  Trajneri i Milanit qetëson të gjithë tifozët kuqezinj në lidhje me gjendjen e skuadrës, në prag të finales së Champions

Milani ka humbur shumë nga shkëlqimi që kishte deri pak javë më parë, por Karlo Ançeloti përpiqet të qetësojë të gjithë tifozët kuqezinj, në lidhje me formën e skuadrës: “Kemi vuajtur pak këto kohët e fundit, por kemi një javë kohë për të përgatitur finalen e Ligës së Kampioneve dhe do ta bëjmë në mënyrën më të mirë, duke mbërritur në Stamboll në maksimumin tonë”. Pra, në ambientin kuqezi është lënë përfundimisht mënjanë kampionati dhe të gjithë mendojnë për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, kundër Liverpulit. Përgatitja për finalen e madhe është hapur me një konferencë të madhe për shtyp, ku kanë folur edhe mjaft lojtarë kuqezinj, përveç Karlo Ançelotit. Trajneri i Milanit është i bindur se një javë kohë është mëse e mjaftueshme për të përgatitur skuadrën plotësisht për sfidën e javës së ardhshme: “Duhet edhe një javë për finalen dhe ka plot kohë për t’i bërë gjërat sa më mirë, ndërkohë që mund të lëmë pushim disa nga lojtarët më të lodhur. Pavarësisht se një farë lodhjeje është e dukshme, premtojmë se do të jemi në formën më të mirë në Stamboll, askush të mos shqetësohet”, deklaron Ançeloti, i cili heq edhe disa paralele me të kaluarën e afërt: “Grupi ka entuziazmin dhe dëshirën e duhur për të luajtur në këtë finale dhe kjo është e rëndësishme. Kthehemi në finalen e Ligës së Kampioneve pas dy vitesh dhe është një objektiv që të gjitha skuadrat e ëndërrojnë për gjithë jetën. Dy vjet më parë skuadra ishte në përballjen e parë të madhe dhe mund të hapte një cikël, ndërsa tani cikli është hapur dhe kjo finale është pjesë e një programi të caktuar. Finalja me Juventusin ishte e shëmtuar, shumë taktike dhe me Liverpulin mund të ndodhë e njëjta gjë. Nuk do të habitesha nëse do të shkojmë te penalltitë”. Pikërisht apekti taktik do të jetë shumë i rëndësishëm për Ançelotin, sepse në këtë mënyrë Liverpuli eliminoi Juventusin e Çelsin. “Mendoj se Benitez ka punuar shumë mirë me Liverpulin, duke shkuar në finalen e Champions që në vitin e parë të punës. Kam shumë konsideratë për të, sepse ka bërë një punë të shkëlqyer në planin taktik, që i lejoi të nxirrte Juven e Çelsin. Është një trajner mbrojtës, por ky nuk është një difekt, sepse mbrojtja është pjesë e lojës. Nga kjo skuadër do të veçoja Xherard, një nga mesfushorët më të mirë në botë, nga paraqitja e të cilit Liverpuli varet jashtëzakonisht”, përfundon trajneri kuqezi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›