E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lika feston ditëlindjen

18/05/2005  Ditën e djeshme, portieri i Dinamos dhe i Kombëtares Shqiptare, Ilion Lika, ka mbushur 26-vjeç. Pak përpara seancës së zakonshme stërvitore, futbollistët e Dinamos kanë festuar për pak minuta, ditëlindjen e shokut të tyre. Stafi teknik i bluve ka toleruar për disa minuta këtë minifestë. Kuptohet që sportistët nuk përdorin pije alkoolike, ndaj edhe Lika i qerasi shokët e skuadrës dhe gjithë stafin me pije energjike. Ky përvjetor, ndoshta është paksa i veçantë për Ilion Likën, pasi mund të jetë i fundit që portieri i bluve feston me skuadrën e tij. Lika ka vite që konsiderohet si një nga portierët më të mirë në Shqipëri dhe me një të ardhme të madhe. Pas një paraqitjeje shumë të mirë me Kombëtaren, në dy ndeshjet e vështira me Turqinë e Greqinë, për portierin e Dinamos janë interesuar shumë klube të huaja. Deri tani, vetë Lika nuk prononcohet, pasi sipas tij është tepër shpejt për të vendosur. “Është tepër shpejt, ka deklaruar portieri dinamovit. Të mbarojmë njëherë kampionatin, si dhe detyrimet me Kombëtaren e pastaj të shohim”. Në fakt, Lika menjëherë pas përfundimit të kampionatit do të ketë shumë pak ditë pushim, sepse do të jetë i grumbulluar nga 26 maji deri në 9 qershor, me ekipin kombëtar. Kuqezinjtë e Brigelit do të zhvillojnë ndeshje miqësore kundër Polonisë, më 29 maj dhe pastaj ato kualifikuese për Botërorin e Gjermanisë, më 4 qershor, me Gjeorgjinë dhe më 8 qershor, me Danimarkën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›